Enkelejd Alibeaj, nga “Djathtas 1912”, deklaroi se qëndrueshmëria e protestuesve ka dhënë një sinjal të fortë për atë që e quajti “e vjetra e politikës”.
“Kur njerëzit dalin në shesh kaq shumë, kur vijnë edhe shqiptarët që janë larguar, kur bashkoheshin edhe ata që mendohej se nuk do të bashkoheshin kurrë, ky është një sinjal i fortë që e merr e vjetra e politikës, Rama dhe Berisha, që tashmë këtyre njerëzve u është hapur syri. Protestuesit nuk e dinë çfarë do të ndodhë nesër, por një gjë e dinë: ata nuk do të votojnë as Ramën, as Berishën”, tha Alibeaj në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Se si do të shkojë më vonë? Po jap unë një spekulim: edhe institucione të tjera të drejtësisë, që e shohin se çfarë ndodh, kanë nisur të lëvizin fort. Kur SPAK-u të nisë të hetojë edhe Edi Ramën, e di se si shthuren 83-84 mandatet? Brenda natës. Do të fillojnë të mendojnë që kalaja ra. Kush nuk ka mëkate të lidhura me Ramën, por edhe ata të palës tjetër, do të braktisin anijet e vjetra, dhe në këtë pikë ndodh rënia e sistemit”, shtoi Alibeaj. (A2 Televizion)