
Pesë persona kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, pas tre sulmeve me bomba artizanale që goditën banesat e zyrtarëve të partisë në pushtet Demokracia e Re në Selanik, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Sipas policisë greke, sulmet u kryen me mjete zjarrvënëse të improvizuara të ndërtuara me bombola të vogla gazi. Në shënjestër ishin banesat e presidentit të komitetit rajonal të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakeimobits, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe kandidates së kësaj force politike, Afroditi Nestora.
Pas ngjarjes, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis udhëtoi drejt Selanikut, ku u takua me zyrtarët e partisë dhe u informua mbi gjendjen e të plagosurve.
Në një deklaratë publike, Mitsotakis e dënoi ashpër sulmin.
"Duhet të shpreh turpin dhe zemërimin tim për këtë sulm frikacak, terrorist dhe vrasës. Nuk do të ketë asnjë tolerancë për çdo formë të re terrorizmi", u shpreh ai.
Kryeministri grek paralajmëroi gjithashtu autorët e sulmit se do të përballen me drejtësinë.
"Do t'ju gjejmë dhe do t'ju çojmë para drejtësisë", deklaroi Mitsotakis.
(A2 Televizion)