
Policia ka arrestuar një çift që mashtronin qytetarë duke marrë kredi në emër të tyre.
Sipas informacioneve paraprake, Adi Hodo, rreth 30 vjeç, i lindur në Vlorë, dhe bashkëjetuesja e tij, Paola Zyber, 33 vjeçe, e lindur në qarkun e Korçës, të dy banues në Tiranë, dyshohet se kanë qenë pjesë e një skeme mashtrimi financiar që ka prekur disa qarqe të vendit.
Sipas të dhënave të deritanishme, aktiviteti i dyshuar mashtrues është shtrirë në zonat e Vlorës, Fierit, Korçës dhe Lezhës, shkruan A2.
Viktimat e përzgjedhura kanë qenë kryesisht persona me probleme sociale dhe ekonomike, si edhe individë me aftësi të kufizuara intelektuale ose me nivel të ulët informimi.
Skema e dyshuar konsistonte në fitimin e besimit të viktimave dhe sigurimin e dokumenteve të tyre të identifikimit. Më pas, sipas dyshimeve, nëpërmjet këtyre të dhënave aplikoheshin kredi online pranë institucioneve financiare, përfshirë edhe IUTE Credit, pa dijeninë dhe pa miratimin e personave në emër të të cilëve merreshin kreditë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se janë realizuar dhjetëra raste mashtrimi, ndërsa shumat e përfituara nëpërmjet kredive të marra pa dijeninë e viktimave kanë qenë të konsiderueshme, duke u shkaktuar atyre pasoja të rënda financiare.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të dokumentuar numrin e plotë të rasteve dhe dëmin e shkaktuar, ndërsa detaje të tjera mbi këtë çështje pritet të bëhen publike në vijim të hetimeve. (A2 Televizion)