Mbi 120 akademikë dhe intelektualë nga diaspora kanë shprehur mbështetje për protestën në Shqipëri dhe kërkesën e protestuesve për një “Shqipëri të re”.
Nga vendet ku jetojnë dhe punojnë, ata kanë firmosur një deklaratë publike, duke i cilësuar legjitime kërkesat e protestuesve për një qeverisje me përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi, si dhe për institucione që t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo pushtetit.
Akademikët, në deklaratën e tyre, thonë se e shohin krizën edhe përmes gjendjes së arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Sipas tyre, politikat e ndjekura kanë toleruar nënfinancimin, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik, lidhjet klienteliste dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për dijen si interes kombëtar, shkruan A2CNN.
“Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike”, thuhet në deklaratën e mbështetjes ndaj protestës për një “Shqipëri të re”.
Ata theksojnë se “mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike, autonomia universitare e brishtë, standardet e dobëta dhe mungesa e lidhjes me zhvillimin ekonomik janë pjesë e së njëjtës krizë që sot qytetarët po e kundërshtojnë me të drejtë në rrugë”.
Në mbyllje të deklaratës së tyre, akademikët firmëtarë kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizë dhe përvojë për një ndryshim të thellë politik dhe institucional, për një “Shqipëri të re” me reforma dhe institucione në shërbim të interesit publik, siç theksohet në deklaratë. (A2 Televizion)