Sa më shumë që Shqipëria i afrohet Bashkimit Evropian, aq më të mëdha bëhen edhe pritshmëritë për mbështetjen financiare nga Brukseli. Vendi pret të përfitojë deri në 500 milionë euro gjatë periudhës 2026–2029 nga Plani i Rritjes. Sipas kuadrit makroekonomik të rishikuar, qeveria ka rritur me 27.4 miliardë lekë pritshmëritë për fondet që do të sigurohen nga ky instrument.
Qeveria synon që deri në fund të vitit 2027 të përmbyllë të 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Ministria e Financave parashikon që Shqipëria të përfitojë 14.1 miliardë lekë në vitin 2027, 16.9 miliardë lekë në vitin 2028 dhe 14.7 miliardë lekë në vitin 2029.
Gjatë mbledhjes së dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, të zhvilluar muajin e kaluar në Tiranë, u bë e ditur se Shqipëria ka përfituar deri më tani 212.8 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me një fond total prej 6 miliardë eurosh, 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi u miratua nga Komisioni Evropian më 8 nëntor 2023. Fondet shpërndahen në bazë të progresit që secili shtet arrin në zbatimin e reformave të dakordësuara me Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)