
Protestat qytetare që nisën kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa tubimet dhe marshimet janë shtrirë jo vetëm në disa qytete të Shqipërisë, por edhe në qendra të rëndësishme ku jeton diaspora shqiptare.
Pas protestës së zhvilluar gjatë paradites në Zvërnec, protestuesit janë mbledhur sërish pasdite rreth orës 18:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, ata kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, ku kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe projektit që kundërshtohet prej tyre.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit brohorasin në kor slogane si: “Shqipëria e Shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, ndërsa kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Vlen për t'u theksuar që protesta dominohet nga të rinjtë dhe nuk mungojnë prindërit me foshnja.
(A2 Televizion)