Toksikologia Suela Xhufi u shpreh se akulloret janë produktet që kanë më shumë rrezik helmimi gjatë stinës së verës.
“Akulloret, nëqoftëse nuk kanë kushtet e duhura të ruajtjes, patjetër që janë të rrezikshme. Duhet të jenë nën 5 gradë të ruajtura në frigorifer. Zakonisht, personat që vuajnë nga helmimi nga akullorja vijnë nga stafilokoku, i cili nuk është vetë bakteri, por është toksina që e helmon individin dhe kjo mund të vijë nga një plagë që mund të ketë personi që e gatuan ose që e shërben”, tha Xhufi në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Prandaj, duhen ato kushtet higjenës sanitare, në momentin që shërbehet të paktën të ketë doreza. Gjithashtu, duhen larë duart para dhe pas përgatitjes së akullores”, shtoi toksikologia.
(A2 Televizion)