Elmi Berisha, kryetar i Vatra në New York, në një intervistë për Ditarin e Pasdites nga Pandi Gjata, në A2 CNN, u shpreh se organizata që ai drejton mbështet fuqishëm investimet kapitale amerikane në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.
“Vatra përkrah më së shumti investimet kapitale amerikane në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që jetojmë shqiptarët. Ndërlidhja jonë me miqtë e përhershëm siç janë amerikanët duhet të ndodhë edhe nga pjesa ekonomike.”
Ai theksoi se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara duhet të ndërtohet jo vetëm në momente nevoje politike, por edhe përmes investimeve ekonomike afatgjata.
“Unë jam pro investimeve kapitale, çdo investimi ndershëm dhe dinjitetshëm që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…”
Berisha u shpreh gjithashtu kundër refuzimit të projekteve strategjike energjetike:
“Refuzimi i gazit amerikan në Kosovë është një vetëvrasje dhe pa maturi.”
Ndërkohë duke folur për shqiptarët në rajon, ai u ndal edhe te Mali i Zi: “Shqiptarët e Malit të Zi janë duke u vetëdijësuar… dhe janë duke shikuar interesin kombëtar më tepër se përçarjen.”, tha Berisha. (A2 Televizion)