Serbia shqetësohet për veriun? Rutte: KFOR do të ketë deri në 3,500 trupa në Kosovë

Nga Erjon Dervishi
17 Qershor 2026, 19:08 | Kosova

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se në të ardhmen, misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, do të ketë deri në 3 mijë e 500 trupa. Rutte këtë deklaratë e bëri gjatë një konference për media në Bruksel, pasi u pyet lidhur me njoftimin e disa ditë më parë se aleanca ushtarake perëndimore synon të reduktojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë.

“Kur e shqyrtojmë situatën e sigurisë në Kosovë, shohim se ajo vazhdoi të përmirësohej në përgjithësi vitin e kaluar. Ky është një lajm i mirë për Kosovën. Si rezultat, NATO ndaloi vendosjen e forcave rezervë në Kosovë në janar, pas dy vitesh rotacion të vazhdueshëm”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO Mark Rutte.

Ai vazhdoi duke thënë se NATO po vlerëson vazhdimisht se si ta përshtatë më mirë praninë e KFOR-it dhe se numri i trupave tani do të jetë midis 3,000 dhe 3,500.

“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3.000 deri në 3.500 trupa. Dhe, mendoj se duke pasur për bazë përmirësimin e situatës, KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, u shpreh Rutte.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se planifikojnë të përshtasin kontributin e tyre në misionin e KFOR-it si pjesë e një shqyrtimi më të gjerë të pranisë ushtarake të Aleancës në rajon. Zëdhënësi i Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Martin O'Donnell, deklaroi se NATO nuk po planifikon të tërhiqet nga Kosova dhe se zvogëlimi gradual i pranisë së KFOR-it në Kosovë nuk është çështje numri të trupave, por më tepër çështje optimizimi të misionit dhe ruajtjes së sigurisë në rajon.

Më 12 qershor, NATO-ja tha se gradualisht, gjatë vitit të ardhshëm, do të përshtatë forcën për mbështetjen e KFOR-it. “NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkeëich. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos