Shuhet në moshën 79-vjeçare aktori i njohur Gjergji Lala

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 20:09 | Kulturë

Shuhet në moshën 79-vjeçare aktori i njohur Gjergji Lala

Është shuar në moshën 79-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Gjergji Lala, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në artin shqiptar dhe një boshllëk të madh në zemrat e artdashësve.

I lindur në Lushnjë, Gjergji Lala i dhuroi skenës dhe ekranit dekada përkushtimi, talenti dhe pasioni. Ai do të kujtohet veçanërisht për interpretimin e Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”, një rol që mbeti i gdhendur në kujtesën e publikut shqiptar.

Gjatë jetës së tij artistike, ai interpretoi në shumë filma dhe shfaqje teatrore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare. Prej vitesh jetonte në Itali, ku vijoi të ushtronte me dashuri profesionin e tij, duke marrë pjesë në filma dhe telefilma të ndryshëm.

"Sot, teksa perdja e jetës së tij është mbyllur, veprat dhe kujtimet që la pas do të vazhdojnë të jetojnë mes nesh. Sipas artistëve lushnjarë, me dëshirën e tij të fundit, trupi do të prehet në vendlindje, në Lushnjën që e deshi dhe e mbajti gjithmonë në zemër, pas mbërritjes nga Italia.

I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të artdashësve për këtë humbje të rëndë. Kujtimi i Gjergji Lalës do të mbetet i gjallë përmes artit që krijoi dhe emocioneve që përcolli te breza të tërë shqiptarësh”, njofton Arkivi Qendror i Filmit.

Shuhet në moshën 79-vjeçare aktori i njohur Gjergji Lala

Filmografia e tij shqiptare përfshin:

Tokë e përgjakur (1976)

Nusja dhe shtetërrethimi (1978)

Liri a Vdekje (1979)

Gjurmë në kaltërsi (1981)

Në prag të lirisë (1981)

Shtëpia jonë e përbashkët (1982)

Një emër midis njerëzve (1983)

Lumi që nuk shteron (1989) (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos