
Vjosa Osmani, kandidatja për Presidente nga radhët e LDK-së, ka folur pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ku kjo parti ka marrë 17,69% të votave.
“Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që na kanë dhënë në këto zgjedhje, të cilat, përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për të prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në rreth 34%, që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje”, tha Osmani në një konferencë për mediat.
“Natyrisht që ky është veç hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë dhe, edhe me më shumë punë në terren, afër qytetarëve tanë, besoj që LDK-ja do të vazhdojë të rritet edhe më tej”, shtoi Osmani.
(A2 Televizion)