Rezultati përfundimtar më 26 qershor! Nis numërimi i votave për kandidatët, si po ndahen ulëset

Nga Xhevahir Qardaku
8 Qershor 2026, 20:23 | Politikë

Rezultati përfundimtar më 26 qershor! Nis numërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur me numërimin e votave për kandidatët për deputet. Zëdhënësi, Valmir Elezi, tregoi mënyrën se si do të zhvillohet ky proces, i cili herën e kaluar u pasua nga polemika të shumta dhe hetime për tjetërsim të votës.

“Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Ky proces, i njëjtë do të bëhet në 38 Qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të punohet me dy orare. Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen më shumë se 2,200 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor” deklaroi Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregoi dhe datën kur bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare.

“Sipas planifikimeve të vendosura në planin e aktiviteteve, në rast se nuk ka ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më 26 qershor. Ndërkaq, certifikimi i rezultateve përfundimtare dhe njëkohësisht përmbyllja e procesit zgjedhor, planifikohet të bëhet deri më 6 korrik”.

Sa i përket rezultatit paraprak të konfirmuar tashmë, Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë me 42.9%, pa votat e diasporës, që përkthehet në 48 mandate, PDK mori 21.1%, që përkthehet në 24 ulëse, LDK forcë e tretë me 17.5% apo 20 deputetë dhe AAK me 7.1% që u garanton 8 ulëse në kuvendin e ri. Në komunitetin serb, 10 vendet e rezervuara janë ndarë: 9 për Listën Serbe dhe 1 për Nenad Rashiq.

Kuvendi ka 120 deputetë dhe duhen 61 të tillë për shumicën. Diaspora është një faktor kyç në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, ndërsa këtë herë mund të përcaktojnë nëse partive do u duhet koalicion i madh, apo Vetëvendosje do të mjaftohet vetëm me bashkëpunimin me partitë jo shumicë jo serbe dhe Nenad Rashiq si herët e kaluara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos