Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar në shkollën “Lidhja e Pejës” në Pejë, ku deklaroi se, për t’iu shmangur problemeve në numërimin e votave që kanë përcjellë proceset e kaluara zgjedhore, KQZ-ja do të bëjë kontrollin e 10 për qind të të gjitha vendvotimeve, në mënyrë që të vlerësohet nëse ka nevojë për rinumërim apo jo.
“KQZ do të bëjë kontrollin e 10 për qind të të gjitha vendvotimeve pasi të kthehet materiali sensitiv dhe do të kontrollojë 10 për qind të kutive të votimit. Më pas do të shohim trendin nëse do të ketë nevojë për rinumërim apo jo. Sa i përket funksionimit të tavolinës së numërimit, në tavolinën e numërimit do të ketë edhe një monitor shtesë, në mënyrë që zyrtarët të mund ta përcjellin procesin e numërimit. Sa u përket personave të involvuar në proces, edhe në procesin e kaluar ua kemi dërguar listën e personave që kanë qenë pjesëtarë ose janë nominuar në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Nuk kemi vepruar ndryshe nga procesi i kaluar. Personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë mundur të njoftohen nga familjarët për procesin e votimit, të printojnë ndonjë fletëvotim dhe të shohin mënyrën se si votohet, ndërsa prapa kabinave të votimit janë të vetmuar dhe votojnë në mënyrë të pavarur”, tha ai, përcjell A2 CNN.
Një risi tjetër në këtë proces zgjedhor, sipas Radoniqit, është funksionimi i një monitori shtesë në tavolinën e numërimit, në mënyrë që zyrtarët të mund ta përcjellin procesin e numërimit.
“Për këtë ditë, KQZ-ja ka qenë e përgatitur që nga dita e caktimit të zgjedhjeve dhe të gjitha përgatitjet deri më sot kanë përfunduar. Tashmë fillon procesi i zgjedhjeve dhe më pas edhe numërimi. Meqenëse në këtë qendër në orën 07:00 ka filluar procesi, besoj se në të gjithë territorin e Kosovës ka filluar procesi zgjedhor. Me këtë rast u bëj thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar”, tha ai.
Ai njoftoi edhe për përfundimin e votimit në përfaqësitë diplomatike, ku pjesëmarrja ka qenë e lartë.
“Dje është votuar në përfaqësitë tona që i kemi hapur. Sipas informacioneve që kemi këtë mëngjes, pa u mbyllur katër qendrat e votimit në Amerikë dhe Kanada, pjesëmarrja ka qenë rreth 81 për qind. Presim edhe të dhënat nga Nju Jorku”, tha ai.
(A2 Televizion)