Zbulohet për herë të parë atmosferë në një planet të ngjashëm me Tokën

Nga A2 CNN
17 Korrik 2026, 23:50 | Bota

Zbulohet për herë të parë atmosferë në një

Studiuesit kanë zbuluar për herë të parë atmosferë që rrethon një planet shkëmbor, të ngjashëm me Tokën, i cili orbiton brenda zonës së banueshme të një ylli të largët.

Sipas tyre, ky zbulim përbën provën më të fortë deri më tani se botë me kushte të ngjashme me ato të Tokës mund të ekzistojnë përtej Sistemit tonë Diellor.

Gazi i identifikuar në atmosferë është heliumi, i cili nuk mund të mbështesë jetën, por shkencëtarët thonë se mund të jenë të pranishëm edhe gazra të tjerë.

Autori kryesor i studimit, Dr. Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit, e përshkroi zbulimin si “një arritje të madhe”.

“Është hera e parë që dikush zbulon një atmosferë në një planet shkëmbor që ndodhet në zonën e banueshme të një ylli tjetër”, tha ai.

Planeti, i quajtur LHS 1140 b, ndodhet 48 vite-dritë larg Tokës dhe orbiton rreth një ylli të kuq, shumë më të vogël dhe më të ftohtë se Dielli ynë.

Deri më sot janë zbuluar më shumë se 6 mijë botë që rrotullohen rreth yjeve të largët. Megjithatë, ky zbulim konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm sepse na afron një hap më pranë një prej objektivave më të mëdhenj të shkencës: zbulimit të jetës në një botë tjetër.

Studiuesit, të cilët publikuan gjetjet e tyre në revistën shkencore Science, theksojnë se ende nuk kanë gjetur prova të jetës.

Por që një planet të mund të mbështesë jetën, ai duhet të ketë ujë, dhe për këtë arsye duhet të ndodhet në distancën e duhur nga ylli i tij: jo shumë afër, që të mos jetë tepër i nxehtë, dhe jo shumë larg, që të mos jetë tepër i ftohtë, por në një pozicion të ndërmjetëm ku kushtet janë “pikërisht të përshtatshme” për ekzistencën e ujit në gjendje të lëngshme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos