Verifikimi, prova më e vështirë për marrëveshjen bërthamore me Iranin

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 23:33 | Bota

Verifikimi, prova më e vështirë për marrëveshjen

Derisa Uashingtoni dhe Teherani vazhdojnë të mos pajtohen rreth mënyrës së verifikimit të zotimeve bërthamore të Iranit nga inspektorët ndërkombëtarë, ish-zyrtarë thonë për Radion Evropa e Lirë se qasja e gjerë dhe e pakufizuar e inspektorëve do të ishte çelësi i suksesit të këtyre inspektimeve.

Hollësitë rreth kësaj ende nuk janë përcaktuar, megjithëse Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), tha se organi i OKB-së “do të punojë shumë shpejt mbi modalitetet – datat, procedurat dhe vendet” e inspektimeve.

Kjo nuk do të thotë, sipas ekspertëve, se IAEA-ja nuk e ka përgatitur tashmë një listë dëshirash për çdo inspektim të mundshëm, përcjell A2.

“Sipas të gjitha gjasave, ata e kanë një për kohën kur do të rikthehen, për atë se cilat janë prioritetet, ku do të dëshironin të shkonin së pari, së dyti, së treti”, tha për REL-in Laura Rockwood, ish-negociatore e IAEA-së për Iranin.

“Gjëja kryesore është të zbulohet se ku ndodhet saktësisht uraniumi i pasuruar.... Do të vija bast se ata tashmë kanë një plan të gatshëm për ditën kur do të duhet të rikthehen”, shtoi Rockwood, e cila mori pjesë në negociata të nivelit të lartë për Iranin gjatë një karriere 28-vjeçare në IAEA, para se të pensionohej në vitin 2013.

Hollimi i uraniumit

Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se Irani është pajtuar për të lejuar inspektime bërthamore të shkallës më të lartë, dhe Teherani thotë se nuk ka plane për t’i lejuar këto inspektime, pika numër 8 e memorandumit të mirëkuptimit (MOU) SHBA-Iran parashikon se të dyja palët kanë rënë dakord për një “metodologji minimale”, sipas së cilës rezervat e uraniumit shumë të pasuruar të Iranit (HEU) do të “hollohen brenda shtetit nën mbikëqyrjen e IAEA-së”.

Por, edhe hollësitë e kësaj mund të rezultojnë të diskutueshme.

“Nëse inspektorët e IAEA-së do të ishin në gjendje t’i matnin dhe karakterizonin materialin me pasurim të lartë dhe atë me pasurim të ulët para hollimit, atëherë aritmetika e thjeshtë jep një ide të mirë se cili është produkti përfundimtar. Më pas, ata do të dëshironin ta matnin për ta konfirmuar dhe ta vulosnin atë produkt për llogaridhënie në të ardhmen”, tha për REL-in Matthew Sharp, i cili shërbeu si drejtor për çështjet bërthamore të Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC) të SHBA-së nga viti 2021 deri në vitin 2022.

“Nëse, nga ana tjetër, Irani e kryen vetë hollimin dhe më pas ua paraqet produktin inspektorëve, do të ishte shumë më e vështirë të dihej se sa uranium shumë të pasuruar kishte fillimisht Irani, gjë që mund të krijojë pasiguri nëse i gjithë materiali me pasurim 60 për qind, ose materiale të tjera të pasuruara janë holluar, apo nëse një pjesë ka mbetur jashtë dijes sonë”, tha Sharp, aktualisht hulumtues i lartë për çështjet bërthamore në Qendrën për Studime Ndërkombëtare të MIT.

Vendndodhja e rreth 450 kilogramëve uranium shumë të pasuruar të Iranit është e paqartë.

Pas sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite, ai mund të jetë i varrosur nën rrënoja në një bunker brenda një mali, ose autoritetet iraniane mund ta kenë zhvendosur një pjesë ose të gjithë sasinë diku tjetër për ta fshehur.

Por, nëse vendndodhja e tij mund të zbulohet dhe ai të hollohet, hapi tjetër është që Irani të mos lejohet ta pasurojë përsëri uraniumin në të ardhmen.

Vëzhgimi i pasurimit

Memorandumi i mirëkuptimit thotë se të dyja palët u pajtuan “të diskutojnë çështjen e pasurimit dhe çështje të tjera me pajtim dypalësh që lidhen me nevojat bërthamore të Republikës Islamike të Iranit, bazuar në një kornizë të kënaqshme që do të miratohet në marrëveshjen përfundimtare”.

Ekspertët i thanë REL-it se verifikimi i kësaj duhet domosdo ta përfshijë një rol për IAEA-në.

“Çdo pezullim i pasurimit të uraniumit është relativisht i pakuptimtë nëse nuk mund të verifikohet dhe nëse IAEA-ja nuk ka qasje për t’u siguruar se nuk po zhvillohet veprimtari e fshehtë bërthamore lidhur me pasurimin në pjesë të tjera të vendit”, tha Kelsey Davenport, drejtoreshë në Shoqatën për Kontrollin e Armëve.

“Shkalla e qasjes, ofrimi i informacionit për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, sa shpejt Irani duhet t’u përgjigjet kërkesave të IAEA-së për qasje, pra të gjitha këto do të jenë vendimtare”, tha ajo për REL.

“Sapo niveli i pasurimit të jetë i ulët, nën 5 për qind, është shumë më e sigurt që ky material të dërgohet jashtë vendit. Ai mund të ruhet në një bankë ndërkombëtare karburanti në Kazakistan”, shtoi Davenport.

Ideja e dërgimit të uraniumit të holluar jashtë Iranit duket se gëzon mbështetje nga zyrtarët amerikanë. Në një bisedë informuese me gazetarët rishtazi, një zyrtar tha se hollimi brenda Iranit ishte “minimumi”, por se “ne do të kërkojmë më shumë se kaq”.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se Uashingtoni do të mbështetej në masë të madhe te mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së dhe ekipet teknike amerikane për verifikimin.

“Ne nuk merremi me besim të verbër”, tha zyrtari.

IAEA-ja ka verifikuar më parë përputhshmërinë e Iranit me angazhimet e tij sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, të cilin Irani e ratifikoi në vitin 1970, si dhe sipas Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) të vitit 2015.

Mësimet nga e kaluara

Ekspertët thonë se nga këto përvoja janë nxjerrë shumë mësime. Ata theksojnë rëndësinë e Protokollit Shtesë Model të IAEA-së, i cili ofron mjete shtesë për verifikim.

Rockwood, tani hulumtuese e lartë në Qendrën e Vjenës për Çarmatimin dhe Mospërhapjen, ishte autorja kryesore e këtij protokolli.

“Nën Protokollin Shtesë, në vend që të kufizohemi vetëm te materiali dhe objektet bërthamore, ne kemi qasje në informacione dhe lokacione që lidhen me të gjithë ciklin e karburantit bërthamor, përfshirë prodhimin e centrifugave”, tha ajo.

“Pra, nëse e dini afërsisht sa centrifuga janë në gjendje të prodhojnë, dëshironi të dini se ku ndodhen ato dhe ne mund të kërkojmë atë lloj qasjeje përmes një Protokolli Shtesë”, shtoi ajo.

Irani e nënshkroi Protokollin Shtesë në vitin 2003, por nuk i ka dërguar IAEA-së letër zyrtare që do ta vinte atë në fuqi.

Irani i ka zbatuar përkohësisht dispozitat e tij midis viteve 2003–2006 dhe për një periudhë gjatë JCPOA-së. Megjithatë, siç vuri në dukje Rockwood, “ka pasur shumë tregues të mospërputhjes nga ana e Iranit” gjatë kësaj kohe.

Sipas saj, kjo mund të pritet të vazhdojë, me komplikime shtesë.

Irani ia hoqi qasjen IAEA-së në vendet e goditura nga sulmet amerikane dhe izraelite ndaj objekteve të tij bërthamore në qershor të vitit të kaluar.

Kjo ka ndërprerë atë që Rockwood e quan “vazhdimësia e njohurive”. Me fjalë të tjera, IAEA ka humbur gjurmët e asaj që Irani e posedon dhe vendndodhjen e saj. Gjithashtu, shkalla e dëmeve është e paqartë, gjë që mund ta koklavitë qasjen, dhe në terren mund të ketë ende municione të pashpërthyera.

“Do të ketë pasiguri dhe mund të ketë më shumë pasiguri se më parë. Në fakt, unë pres që kështu të jetë. Po, vërtet një proces i gjatë dhe i vështirë”, tha Rockwood./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos