
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas sulmit ajror të Izraelit në Bejrut, duke thënë se një veprim i tillë nuk duhej të kishte ndodhur, sidomos në një moment kur, sipas tij, është duke u afruar një marrëveshje paqeje në rajon.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten, por e cilësoi sulmin si të panevojshëm dhe të vogël në përmasa.
“Sidomos në një ditë të veçantë kur jemi kaq afër një marrëveshjeje paqeje me Iranin, ky sulm nuk duhej të kishte ndodhur”, shkroi ai.
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë shumë pranë një marrëveshjeje që, siç tha ai, do të ndihmojë në sjelljen e paqes në rajon, përfshirë edhe Libanin.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, duke theksuar se nuk duhet të ketë më sulme as nga Izraeli dhe as nga palë të tjera.
“Ky mund të jetë fillimi i një paqeje të gjatë dhe të bukur. Le të mos e prishim atë”, përfundoi Trump. (A2 Televizion)