Starmer premton tranzicion të rregullt, Burnham drejt lidershipit, ja kush mund ta rivalizojë

Nga Rosalba Bejdo
23 Qershor 2026, 15:14 | Bota

Starmer premton tranzicion të rregullt, Burnham drejt lidershipit, ja kush

Keir Starmer mbajti mbledhjen e parë të kabinetit që prej njoftimit se do të dorëhiqej si kreu i partisë laburiste dhe kryeministër. Siç bëhet e ditur 63-vjeçari ka thënë se dëshiron një tranzicion të rregullt dhe sedo ti japë mbështetjen e plotë pasardhësit të tij.

Qeveria njoftoi se nuk do të ketë politika të reja të rëndësishme, apo vendime shpenzimesh gjatë periudhës së tranzicionit, për zgjedhjen e kryeministrit të ri.

Pasuesi i Starmer me gjasë do të jetë Andy Burnham, i cili u rikthye si ligjvënës në parlament pas 10 vitesh mungesë. Ai u betua të hënën, pas fitores në betejën parlamentare për Makerfield përballë kandidatit të partisë së ekstremit të djathtë, Reform UK, triumf ky që edhe i hapi rrugën drejt marrjes së lideshipit të partisë.

56-vjeçari thuhet të ketë mbështetjen e partisë, megjithatë ai mund të rivalizohet nga dy eksponentë të tjerë të Laburistëve.

Ish-ministri i Forcave të Armatosura Al Carns i cili nuk e ka përjashtuar kandidimin, dhe Darren Jones, kryesekretari i kryeministrit. Nominimet për lidershipin e partisë do të hapen më 9 korrik dhe do të zgjasin deri në 16 korrik, dhe fituesi duhet të sigurojë mbështetjen e 20 përqind të ligjvënësve laburistë.

Nëse Burnham nuk do të ketë sfidues ai mund të bëhet kryeministër në 16 ose 17korrik, në atë që njihet si ‘’kurorëzim’’.  Por teksa shumë e shohin si njeriun e duhur për të reformuar partinë, dhe Britaninë e madhe, Burnham ende nuk ka prezantuar një program të qartë mbi ekonominë, mbrojtjen dhe punët e jashtme.

Ashtu si Starmeri, edhe ai mund ta gjejë veten me duar të lidhura, i bllokuar nga investitorët e tregut të obligacioneve që nuk pranojnë rritje të mëtejshme të borxhit dhe përballë një elektorati të pakënaqur që mendon se vendi nuk po ecën në drejtimin e duhur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos