Rusia godet manastirin historik në Kiev, qindra raketa e dronë mbi Ukrainën, të paktën 10 viktima

Nga Rosalba Bejdo
15 Qershor 2026, 15:21 | Bota

Të paktën 10 persona u vranë dhe një manastir 1 mijëvjeçar, që simbolizon trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Ukrainës, u dëmtua pas bombardimeve më të rënda të Rusisë në dy javët e fundit.

Sulmet goditën më rëndë kryeqytetin Kiev, ku u shënuan pesë viktima, si edhe rajonin e Kharkivit, ku mbetën të vrarë pesë pjesëtarë të ekipit të shpëtimit, të cilët po përpiqeshin të shuanin flakët e shkaktuara nga një sulm. Dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur, shkruan A2 CNN.

Tre viktima u shënuan edhe në jug të Moskës, në qytetin e Tulas, pas një sulmi me dronë ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, e ka cilësuar sulmin ndaj manastirit Pechersk Lavra në Kiev si një prej krimeve më të rënda të Rusisë ndaj kulturës së krishterë në ditët e sotme. Sulmi rus i vuri zjarrin çatisë së Katedrales së Fjetjes së Shën Mërisë, e cila është edhe ndërtesa kryesore e kompleksit të manastirit.

Katedralja, historia e së cilës daton që nga shekulli XI, shërbeu si vend prehjeje për princat mesjetarë të Kievit. E shpallur si trashëgimi e UNESCO-s, ajo u dëmtua rëndë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Moska, e cila mohoi sulmin ndaj katedrales, tha se ndërtesa ishte goditur nga një raketë Patriot e prodhuar në Shtetet e Bashkuara. Ministria e Mbrojtjes ngriti pretendime për një keqfunksionim të këtyre sistemeve, afati operacional i të cilave mund të ketë skaduar, siç pohon ajo.

Një seri shpërthimesh të fuqishme tronditën të gjithë Kievin, pasi Rusia lëshoi një sërë raketash balistike, të ndjekura nga dronët Shahed. Me mijëra banorë u strehuan në stacionet e metrosë dhe në bunkerë.

Sipas ushtrisë ukrainase, Moska kishte sulmuar me 70 raketa dhe 611 dronë, shumica prej të cilëve u rrëzuan.

Polonia, anëtare e NATO-s, ngriti avionë luftarakë për shkak të mundësisë së një shkeljeje të hapësirës ajrore, përpara se të tërhiqte alarmin dhe të njoftonte se nuk ishte regjistruar asnjë shkelje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos