“Pabarazi për makinat, bulmetin dhe alkoolin”, “dhurata” e hidhur e Trump për Kanadanë, 50 % tarifa tregtare

Nga Xhevahir Qardaku
21 Korrik 2026, 10:45 | Bota

Amerika nis një “luftë” me Kanadanë… në aspektin tregtar. Presidenti Donald Trump vendosi 50% tarifë për një sërë mallrash të importuara nga vendi fqinj, si kundërpërgjigje për atë që e quajti “trajtim të pabarabartë” lidhur me automjetet, bulmetin dhe alkoolin amerikan.

Produkte të konsumit të përditshëm si vera, shkopinjt e hokejt dhe mallrat industrialë si çimento janë mesa tyre që preken.

Megjithatë disa eksporte kyçe do të kursehen, si energjia, potasiumi, mineralet kritike dhe peshku. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u kundërpërgjigj duke theksuar se është gati për të intensifikuar bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara në javët në vijim.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se tarifat do të hyjnë në zbatim në 30 ditët e ardhshme. Kjo lëvizje shënon një përshkallëzim të madh në tensionet tregtare mes fqinjëve në Amerikën e Veriut.

Kanadaja ishte një nga pak vendet e botës që u hakmorën në 2025 kundër tarifave të Trump, duke vendosur një taksë 25% ndaj mallrave të SHBA me vlerë 21.7 miliardë dollarë. Carney hoqi disa prej tyre, por mbajti tarifat ndaj automjeteve amerikane, çelikut dhe aluminit.

Gjykata Supreme në SHBA vendosi më herët gjatë këtij viti se shumë prej tarifave të vendosura nga Trump ndaj botës, përmes fuqive të emergjencës, ishin të paligjshme. Por vendimi i fundit i presidentit është bazuar në një tjetër ligj që nuk është testuar në gjykatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos