Amerika dhe Irani po shkojnë drejt një lufte totale. Sipas Axios, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po i afrohet udhëkryqit të fundit për Teheranin, me zyrtarët amerikanë dhe izraelitë që parashikojnë vetëm dy skenarë të mundshëm: ndjekjen e një armëpushimi të ri 10-ditor për të rihapur Ngushticën e Hormuzit ose nisjen e një fushate masive të përbashkët ushtarake me Izraelin për ta detyruar Teheranin të kapitullojë.
Zyrtarët besojnë se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Kjo vjen ndërsa në skenë u vendos vala e 10 e sulmeve amerikane ndaj Iranit, me qëllim për të “degraduar më tej” aftësitë e tij për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit.
Furia e SHBA-së u ndez edhe më shumë pas vrasjes së 3 ushtarëve të saj, ndërsa Pentagoni konfirmoi sëfundmi plagosjen e thuajse 100 anëtarëve të forcave të armatosura që nga 7 korriku.
“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, ata do ta paguajnë shumëfish për atë vrasje! Kjo direktivë i është përcjellë Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, Kryetarit të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Daniel Caine, dhe çdo Udhëheqësi në Ushtri”, tha Trump.
Por edhe Irani nuk ka qëndruar duarkryq dhe është angazhuar në luftë. Sipas raportimeve, Garda Revolucionare pretendon se ka goditur dy anije cisterna nafte në kanalin ujor, si dhe asetet ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt duke shkatërruar një sistem radarësh dhe një avion F-15, si dhe një qendër të dhënash të Amazon.
Presidenti Masoud Pezeshkian tha se Irani tani po bën një “luftë në shkallë të plotë” me SHBA-në, duke zbehur peshën e negociatave. (A2 Televizion)