OBSH jep alarmin: Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa tjetër e botës

Nga A2 CNN
24 Qershor 2026, 18:35 | Bota

OBSH jep alarmin: Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se pjesa
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ngritur alarmin për ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike në Evropë, duke paralajmëruar se temperaturat në kontinent po rriten me ritme shumë më të shpejta se mesatarja globale.

Përmes një postimi në platformën X, kreu i OBSH-së theksoi se Evropa po përballet me një rritje alarmante të temperaturave, të cilat sipas të dhënave aktuale po ngjiten afërsisht dy herë më shpejt se mesatarja botërore.

“Të dhënat janë të qarta: temperaturat në të gjithë Evropën po rriten afërsisht dyfishin e mesatares globale, duke rritur gjasat dhe ashpërsinë e valëve ekstreme të nxehtësisë në të ardhmen”, shkroi Tedros.

Ai paralajmëroi se ndryshimet klimatike po shtojnë frekuencën dhe intensitetin e valëve të të nxehtit, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik, mjedisin dhe ekonominë.

Kreu i OBSH-së bëri thirrje për veprime të menjëhershme dhe më ambicioze në luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke theksuar se nuk ka më vend për vonesa në zbatimin e politikave që synojnë uljen e emetimeve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e motit ekstrem.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur disa vende evropiane po përballen me temperatura të larta dhe valë të nxehti, ndërsa ekspertët e klimës vijojnë të theksojnë nevojën për masa urgjente për të frenuar efektet e ngrohjes globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos