Europa gati për mision në Hormuz, Trump në samitin G7: Tani është radha e Ukrainës

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 07:29 | Bota

Europa gati për mision në Hormuz, Trump në samitin G7: Tani

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbërriti në samitin e G7 në Evian-les-Bains të Francës me një ton optimist, duke deklaruar se pas marrëveshjes së arritur me Iranin dhe rihapjes së pritshme të Ngushticës së Hormuzit, vëmendja duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë.

Trump tha se ka zhvilluar biseda shumë të mira me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, duke shtuar se sheh mundësi për përparim drejt një zgjidhjeje.

"Dje patëm një bisedë të shkëlqyer me Presidentin Zelensky dhe Presidentin Putin dhe shoh mundësinë për të bërë diçka edhe në këtë front. Besoj se të dy janë të hapur për një zgjidhje", u shpreh presidenti amerikan.

Nga ana e tij, Zelensky propozoi një takim trepalësh me Trump dhe Putin në Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se një format i tillë do ta kishte më të vështirë për liderin rus të refuzonte dialogun.

"Është një format që do ta bënte shumë më të vështirë për presidentin rus të refuzonte," shpjegoi ai, duke kujtuar se të gjitha thirrjet drejtuar udhëheqësit të Kremlinit deri më tani kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ndërkohë marrëdhëniet mes Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron duket se janë përmirësuar ndjeshëm. Trump e quajti Macronin “një mik të veçantë”, ndërsa lideri francez e ka konsideruar rikthimin e bashkëpunimit me SHBA-në si një prioritet të rëndësishëm.

Në një intervistë para samitit, Macron tha se prioritet është rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe pa taksa. Ai deklaroi se Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshme të udhëheqin një mision evropian për garantimin e lirisë së lundrimit, me mbështetjen e Holandës dhe Italisë.

"Prioriteti është rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Dhe pa taksa. Franca dhe Britania e Madhe janë gati të udhëheqin një mision në Ngushticën e Hormuzit, me mbështetjen e Holandës dhe Italisë. Qëllimi është që Evropa të rifitojë një rol kyç përkrah Shteteve të Bashkuara, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë në një kohë paqeje dhe rindërtimi të marrëdhënieve ndërkombëtare pas një konflikti të armatosur. Qëllimi i evropianëve është të kontribojnë në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit sapo marrëveshja e arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të zbatohet në mënyrë efektive", përsëriti Macron.

Kreu i Elizesë shtoi se Franca mund të vendosë avionë luftarakë brenda 24 orësh dhe fregata detare brenda 48 orësh, ndërsa më vonë mund të angazhohet edhe aeroplanmbajtësja franceze.

“Parisi është gati të dërgojë avionë luftarakë në vend duke filluar nga nesër, të cilët mund të ndihmojnë me misionet e zbulimit. Brenda 48 orëve, fregatat padyshim që mund të vendosen, dhe pastaj aeroplanmbajtësja. Shkurt, ne jemi gati."

Trump, megjithëse nënvizoi se SHBA nuk ka nevojë për shumë ndihmë, pranoi se prania e një ose dy anijeve nga vendet aleate do të ishte e dobishme për sigurinë e operacionit në Hormuz.

"Nuk kemi nevojë për shumë ndihmë. Por, nuk mendoj se do të ishte një ide e keqe të kishim një ose dy anije nga ndonjë vend. Vendi juaj do të ishte perfekt për këtë, sepse nuk i dihet kurrë...", theksoi Trump. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos