Në fund të gushtit, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, surprizoi liderët e Ballkanit Perëndimor në Forumin e Bledit në Slloveni, teksa foli për një datë konkrete për integrimin e rajonit në familjen europiane.
“Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Do të krijojë momentum”, tha Michel.
Propozimi i Charles Michel nuk u prit me entuziazëm në Komisionin Europian duke shkaktuar një përplasje të institucioneve në BE. Zëdhënësja e kahut ekzekutiv të bllokut, Dana Spinant, theksoi se Komisioni nuk është i përqendruar tek afatet kohore, por te meritokracia: “E kemi thënë gjithmonë se zgjerimi është një proces i bazuar në merita, çka nënkupton se një kandidat duhet t’i bashkohet bllokut kur të jetë gati. Nuk jemi të fokusuar në afate kohore, por tek bashkëpunimi i afërt me vendet kandidate për t’i përgatitur për t’iu bashkuar bllokut. Jemi të përqendruar tek reformat, investimet, apo tek transformimi i ekonomive të këtyre shteteve”.
Përplasja në qëndrime mes dy institucioneve kyçe të Brukselit, Këshillit dhe Komisionit Europian, solli reagimin e kryeministrit Edi Rama, që nuk i kurseu thumbat: “Duhet pranuar se pas fjalimit të papritur të Presidentit Michel në Forumin Strategjik të Bled, autobusi i ngadaltë i BE-së po bëhet një vend interesant për të qëndruar edhe pa një vend të lirë. Padyshim që pasagjerët e Ballkanit Perëndimor mund ta durojnë më mirë gjatësinë e udhëtimit, ndërsa ndjekin një bisedë me zë të lartë mes djemve të ulur. Le të dëgjojmë se çfarë do të ndodhë më pas”.
Përtej komenteve të kryeministrit, në Tiranë ekspertët e procesit të integrimit, bashkë me njerëzit e politikës të përfshirë në të, e cilësojnë ende të paplotë deklaratën e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, të paktën deri në momentin që do të ketë një vendim në bllok nga ana e shteteve anëtare.
Nënkryetarja e Këshillit të Integrimit, deputetja socialiste Etilda Gjonaj, sheh te zgjedhjet e ardhshme europiane rrezikun për vonesa: “Është një afat fundor më shumë i deklaruar se sa i vendosur. Më i rëndësishëm është integrimi i popujve dhe ai ekomik sesa një “deadline”. Ky është një proces sa teknik dhe politik. Mos të harrojmë që vitin tjetër BE dhe Parlamenti Europian është në zgjedhje, që do të thotë mund të ketë një ngadalësim të procesit që lidhet me pjesën e anëtarësimit”.
Zyrtarizimi i një date nga Brukseli do të konkretizonte premtimin, thekson ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha: “Që data të bëhet konrete, duhet të marrë një miratim të të gjitha vendeve anëtare. Samiti i Berlinit dhe ai i Madridit do të jenë shumë të rëndësishëm për të thelluar këtë diskutim, që do të dëshiroja të dilnin me disa dokumenta zyrtare, ku të mbahen premtimet dhe gjithçka që do të shkruhet në to”.
Edhe Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, pohon se është koha që BE të jetë më e qartë: “Është një lajm pozitiv, ndonëse fakultativ, pasi nuk është një propozim që vjen institucionalisht nga të gjitha vendet e BE. Nga ana tjetër, nuk kemi mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare”.
Shpresat e një zgjerimi që nuk do të ecte me ritmin e breshkës, i shtoi Presidenti francez Emanuel Macron, kur foli për zona dhe shpejtësi të ndryshme, me kushtin që unioni fillimisht duhet të reformohet. Ky qëndrim i Presidentit francez nuk është surprizë për vendin tonë, pavarësisht se Gjonaj dhe Gjosha shpresojnë se ky është momenti që BE duhet të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe për shkak të ndikimit rus në rajon.
“Unë nuk mendoj që do të ketë pengesë për integrimin europian. E vetmja gjë është që KE duhet të dalë me një dokument shumë të qartë për etapat e zgjerimit. Çfarë ofrohet? Cilat janë alternativat? Jam e bindur që Franca dhe qeveria franceze i shohin me kujdes të gjitha opsionet. Ata nuk janë kundër, aq më tepër pas asaj që ka ndodhur në Ukrainë, agresionit rus. Dhe të gjithë akseset që fatkeqësisht ka Rusia edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, që shkakton një pasiguri shumë të madhe edhe në BE”, tha Gjosha.
Ndërsa Gjonaj shprehet: “Pavarësisht se ka një shprehje se kur Franca kollitet, Europa merr të ftohtin, besoj edhe Franca nuk do të jetë penguese kur bëhet fjalë për një zhvillim që i përket dhe përfiton Bashkimi Europian. Është momenti që BE duhet të mendojë që të jemi bashkë jo vetëm për politikën e jashtme, por ka nevojë që Europa me 27 vendet së bashku me vendet e tjera të jenë bashkë për një ekonomi më të stabilizuar”.
Ndërsa Gjipali nuk e përjashton që Franca të mund ta prishë festën e Shqipërisë apo të gjithë rajonit: “Vite më parë, ishte pikërisht Franca që pengoi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pikërisht me idenë për të pasur një reformë në procesin e zgjerimit të BE. Nuk është hera e parë që Franca hedh idenë e një reforme më të gjerë të BE tregon që është një pengesë reale që ky proces të ecë siç duhet për procesin e integrimit”.
Teksa institucionet e Brukselit apo vendet anëtare duhet ende të qartësojnë qëndrimet me njëra-tjetrën, sa e gatshme është Shqipëria për të plotësuar kushtet deri në 2030? Gjonaj dhe Gjipali besojnë se vendi ynë mund t’ia dalë.
“Nëse është në 7 vjet, në 5 vjet apo pak më shumë, kjo është një gjë që i takon procesit teknik. Unë besoj për mënyrën se si ka ecur deri tani procesi ne e kemi shumë të mundur të arrijmë 2030”, u shpreh Gjonaj.
Gjipali theksoi: “Besoj se është një periudhë e mjaftueshme për të ndërmarrë reformat apo për të përmbyllur reformat që janë ndërmarrë ndërkohë. Më e rëndësishme është vullneti politik”.
Nuk ka të njëjtin mendim ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Ajo kërkon nga qeveria që të ndryshojë qasjen ndaj procesit të integrimit: “Shqipëria nuk është gati. Procesi duhet të ishte i fokusuar në politika kombëtare që përshtaten me politikat e BE. Do të doja të shihja një qeveri shumë të përgjegjshme, të kuptojë që procesi i integrimit nuk është vetëm i saj. Nuk është një burg që mbyllet informacioni brenda disa zyrave të shtetit se në çfarë faze jemi. Informimi me qytetarët është kyç, për të mos shkuar pastaj në dialogun politik”.
Nënkryetarja e Këshillit të Integrimit tregon se cilët janë sektorët në të cilët Shqipëria mund të hasë vështirësi në procesin e integrimit. Gjonaj thotë: “Kapitulli 23 është te grupkapitulli i parë. I jep një disfavor në kohë sepse është i pari që hapet dhe i fundit që mbyllet. Pavarësisht avancimit që ne kemi bërë në këtë kapitull, ajo që besoj që do ta kemi më sfiduese në këtë proces të integrimit, pra të të gjithë politikës integruese, ka të bëjë me kapitullin si pjesa e mjedisit, e bujqësisë, ku do të kërkojë jo vetëm politika reformuese, por edhe një sërë investimesh. Padyshim ka një kosto në buxhet”.
Në raport me rrugën e saj europiane, Shqipëria është në fazën e pritjes së konferencës së dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, që do të shënonte fazën fillestare të quajtur “screening” si dhe hapjen e negociatave për grupin e parë të kapitujve.
Gjipali shprehet: “Shqipëria është në fazën e përfundimit të procesit screening. Është pothuasje i mbyllur grupimi i parë, i shtetit të së drejtës. Ka ardhur raporti nga KE për vlerësimin e të gjithë situatës dhe qeveria shqiptare ka përgatitur një udhërrëfyes. E njëjta skemë do të ndiqet edhe për 5 grupimet e tjera, të cilat janë duke përfunduar pjesën e takimeve dhe analizës. Më pas, hap i rëndësishëm është mbajtja e konferencës ndërqeveritare ku dhe hapen negociatat për klasterin e parë që pritet së shpejti dhjetori, ose 6-mujori i parë i vitit të ardhshëm”.
Që nga firmosja e marrëveshjes së stabilizim-asociimit deri në 19 korrik të 2022, kur BE hapi zyrtarisht negociatat me vendin tonë, Shqipërisë iu deshen më shumë se 16 vite kohë. (A2 Televizion)