
Emra me peshë për të shpëtuar Flamurtarin e këtij sezoni. Edhe pse merkatoja e verës ende nuk është hapur zyrtarisht, në Vlorë, po qarkullojnë që tani emrat që mund të shpëtojnë ekipin nga rënia në Kategorinë e Parë. Dy nga bomberat e kombëtares shqiptare si Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku mbeten në listën e dëshirave për drejtuesit e Flamurtarit dhe puna për ti bindur ish lojtarët e përfaqësueses kuqezi duket se ka nisur.
Siç raportohet, këtë fundjave Cikalleshi ka qenë në Vlorë dhe në një takim me administratorin e klubit Sinan Idrizi, bisedoi për afro tre orë në stadiumin Flamurtari. Idirizi i ka bërë të qartë sulmuesit se është i gatshëm t’i plotësojë çdo kusht financiar, vetëm për ta pasur pjesë të skuadrës në këtë moment delikat që klubi vlonjat po kalon Cikalleshi është një emër mjaft i dashur dhe për tifozët kuqezi, pasi ka luajtur 60 ndeshje me kombëtaren dhe ka shënuar 13 gola.
Edhe futbollin shqiptar e njeh mirë pasi më herët ka luajtur me skuadra si Besa, Skënderbeu, Tirana apo Kukësi. Jo vetëm Cikalleshi, por një bomber tjetër që diskutohet është dhe Armando Sadiku.
34- vjeçari ka një karrierë të pasur, duke luajtur me klube të njohura në Zvicër dhe Spanjë mund të jetë një tjetër merr në listën e dëshirave për klubin vlonjat. Edhe pse ende deri më tani asnjë nga palët nuk ka dhënë detaje të tjera, dy bomberat janë shpëtimi i vetëm për klubin vlonjat nëse duan të besojnë deri në fund në objektivin mbijetesë. (A2 Televizion)