Festa e liqenit në Shkodër, fundjava tërhoqi vizitorë të shumtë. Mahniten të huajt

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
11 Korrik 2026, 18:16 | Sociale

Zambakët e ujit, peizazhet që ofron liqeni i bukur i Shkodrës, eksperienca hiking, apo një shëtitje me biçkletë, janë alternativë e Festës së Liqenit. Turistët që shprehën të mahnitur nga eksplorimi i një qyteti ku natyra ndërthuret me gjallimin kulturor, sportiv e tradicional.

“Jam nga Shtetet e Bashkuara. Kam rreth një muaj që jam këtu dhe do të qëndroj edhe disa javë të tjera. Kisha dëgjuar në internet për veriun e Shqipërisë dhe sa i bukur është. Ka male kudo, ndaj pse të mos e përjetosh një vend të tillë? Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Erdha spontanisht dhe njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm e mikpritës. Është fantastike. Ka shumë gjëra për të bërë, sidomos në këtë stinë. Pashë që po organizoheshin koncerte muzikore dhe aktivitete të ndryshme. Ndihet që qyteti po zhvillohet shumë. Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë. Liqeni ka një natyrë të mrekullueshme, me florë dhe faunë të pasur, ndërsa qyteti është gjithashtu shumë i bukur. Nuk e prisja që natyra të ishte kaq e veçantë dhe që të kishte kaq shumë male ku mund të bësh ecje. Është vërtet fantastike”, thotë një turiste.

“Jam nga Gjermania. Po, është hera ime e parë këtu. Është një vend i mrekullueshëm, plot natyrë, vërtet shumë i bukur. Edhe qyteti është i mrekullueshëm. Njerëzit kanë qenë shumë të sjellshëm. Vetë qyteti është mahnitës, me liqenin dhe malet që e rrethojnë. Është një bukuri e rrallë. Është kënaqësi të kesh ujin, liqenin dhe të shohësh të gjitha shpendët. Është një vend ideal për t’u larguar nga zhurma e qytetit dhe për të shijuar natyrën. Mendoj se e gjithë Shqipëria është shumë e bukur, por Shkodra, si porta drejt Alpeve, të jep mundësinë të eksplorosh kulturën dhe natyrën në një mënyrë krejt unike. Është një vend si askund tjetër”, thotë një tjetër, shkruan A2.

Shëtitjet me kanoe, biçikletat në ujë, si edhe gatimet tradicionale të servirura në Shirokë dhe Zogaj, krijuan një atmosferë të veçantë festive, ku banorët janë ata që çdo ditë presin një mik, një vizitor a një ekplorues të ri, duke i ofruar gjithë çka munden. 

Festa e Liqenit konfirmoi edhe një herë potencialin e Shkodrës si një prej destinacioneve më tërheqëse turistike të verës, duke promovuar natyrën, traditën dhe mikpritjen që e karakterizojnë këtë zonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos