“Të ndryshojë Kushtetuta!” Eksperti: Rinia të ushtrojë presion, të vendosë fatin e vendit

Nga A2 CNN
14 Qershor 2026, 21:11 | Politikë

Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, i ftuar në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçe në A2 CNN, komentoi protestat e të rinjve dhe kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale në vend.

Sipas Kumes, kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës është një nga kërkesat më të forta dhe më të rëndësishme që mund të artikulohet nga rinia, pasi sipas tij kushtetuta aktuale e ka përmbushur misionin e saj dhe Shqipëria ka nevojë për rregulla të reja themelore të qeverisjes në prag të integrimit europian.

Të ndryshohet Kushtetuta apo jo? Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e fortë. Të ndryshohet Kushtetuta do të thotë të bëhet një mirë-rregullim esencial në mënyrën se si ne qeverisemi. Unë e mbështes këtë kërkesë, sepse kam kohë që e kam thënë se kjo kushtetutë e ka mbaruar misionin e saj”, u shpreh Kume.

Ai theksoi se Shqipëria, në fazën e re të zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Europian, duhet të ketë rregulla themelore të qeverisjes që e afrojnë me standardet e vendeve europiane.

“Kur të bëhemi pjesë e vendeve të BE-së, duhet të kemi rregulla themelore ndryshe të qeverisurit, për të qenë të krahasueshëm me të tjerët”, tha ai.

Megjithatë, ish-kreu i KQZ-së paralajmëroi se ndryshimi i Kushtetutës është një proces i vështirë dhe kërkon fuqi reale vendimmarrëse.

“Këta duhet të fillojnë hap pas hapi të kërkojnë dhe të realizojnë ndryshime që do t’i çojnë drejt fuqisë vendimmarrëse për të ndryshuar aktin themelor të shtetit”, deklaroi Kume. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos