Tabaku: Integrimi europian nuk matet me data, por me sundim të ligjit dhe reforma reale

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 17:57 | Politikë

Tabaku: Integrimi europian nuk matet me data, por me sundim të ligjit dhe

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, së bashku me nënkryetarin e PD-së Oerd Bylykbashi, zhvilluan një takim me gazetarë nga vende të Bashkimit Europian, ku u diskutua procesi i integrimit të Shqipërisë dhe zhvillimet politike në vend, përfshirë edhe protestat e fundit qytetare.

Tabaku theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugën drejt integrimit europian, por sfida kryesore nuk është vetëm përcaktimi i afateve, por realizimi i reformave të thella dhe transformimi real i institucioneve.

Sipas saj, debati për integrimin duhet të fokusohet më shumë te përmbushja e standardeve të BE-së dhe vullneti politik për të forcuar sundimin e ligjit, sesa te “data e anëtarësimit”. Ajo shtoi se opozita mbështet çdo nismë ligjore që ndihmon procesin e integrimit.

Duke folur për situatën politike dhe ekonomike në vend, Tabaku deklaroi se Shqipëria ende përballet me sfida në funksionimin e plotë të shtetit të së drejtës, duke përmendur ndikimin e interesave të ngushta në institucione, që sipas saj krijojnë pabarazi dhe mungesë besimi te qytetarët.

Ajo e lidhi pakënaqësinë qytetare dhe protestat e fundit me atë që e quajti efekt të një sistemi të perceptuar si i “kapur”, i cili ka ndikuar në rritjen e pabarazive sociale dhe ekonomike.

E pyetur nga gazetarë italianë për përbërjen e protestave, Tabaku u shpreh se pjesëmarrësit nuk ndajnë domosdoshmërisht të njëjtat bindje politike, por i bashkon kundërshtimi ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Sipas saj, protestat janë një shprehje normale demokratike dhe nuk drejtohen ndaj opozitës.

Në vijim, ajo ngriti edhe çështjen e investimeve strategjike, zonave të mbrojtura dhe prokurimeve publike, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre përqendrohet në pak kompani, ndërsa standardi i jetesës dhe pensionet mbeten nën mesataren e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos