“Shqipëria në sallën e urgjencës”, Berisha në PPE: Duhet zgjidhje paqësore, përplasja sjell regres

Nga Indrit Maraku
9 Qershor 2026, 18:20 | Politikë

Në Konferencën e Partisë Popullore Evropiane, mbajtur në Sarajevë, Sali Berisha iu drejtua me fjalët e një mjeku për të përshkruar gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sipas tij.

"Mendoj se problemi më themelor i vendit tim është mungesa e zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet janë një farsë, e dokumentuar tashmë nga institucionet ndërkombëtare. Prandaj, ndihma më e madhe do të ishte një qeveri kujdestare që të garantojë një proces zgjedhor të lirë dhe normal", tha Berisha. 

Por sot, siç më pyesni, vendi im, Shqipëria, ndodhet në sallën e urgjencës. Është vërtet në një “dhomë urgjence”. Po përballet me protesta që nuk janë parë më parë. Dhe mënyra se si kryeministri po i trajton është shumë cinike, madje më shumë se cinike.

Duke iu referuar konkretisht protestës qytetare, Berisha nënvizoi nevojën për një zgjidhje paqësore. Skenari tjetër, paralajmëroi kryedemokrati, do të kishte pasoja të rënda.

"Vendi im ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile, duke shmangur një përplasje të mundshme që mund ta kthejë vendin shumë vite pas ose në një regres të rëndë. Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme. Është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto janë edhe kërkesat kryesore të tyre, përfshirë edhe dorëheqjen e kryeministrit", tha Berisha. 

Berisha kërkoi që në zonën e Zvërnecit të respektohen ligjet vendase dhe direktivat evropiane, teksa ftoi partnerët që të mbajnë nën vëzhgim qeverinë e Tiranës.

" Në zonën e Zvërnecit, që është një lagunë, duhet respektuar ligji, “Natura 2000” dhe direktivat e BE-së për habitatet dhe shpendët. Por kur shkel gjithçka, sillesh si sulltan në një “sulltanat të promovuar”. Prandaj, apeli im është: shikoni Shqipërinë, sepse diktatorët nuk marrin kurrë vendimet e duhura.", tha Berisha. 

Kjo lëvizje, megjithëse nuk është organizuar nga partia jonë, ne e mbështesim. Është një lëvizje qytetare shumë e fuqishme dhe duhet të përfundojë në mënyrë paqësore, duke zgjidhur krizën e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë sot.

Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi Partinë Popullore Evropiane dhe Presidentin Weber për vëmendjen që i kushton rajonit të Ballkanit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos