“Sa më pranë BE, aq më shumë sulme”. Rama: “Flamingot”, shembulli i qartë se si funksionon dezinformimi

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 11:58 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ngriti sërish shqetësimin për rrezikun e sulmeve hibride dhe fushatave të dezinformimit, duke sjellë si shembull atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove”. Sipas Ramës, raste të tilla tregojnë mënyrën se si mund të krijohen përçarje në shoqëri dhe të shfrytëzohen nga aktorë të huaj, veçanërisht në një periudhë kur Shqipëria po afrohet me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Besoj se jeni mjaft të informuar për të ashtuquajturin Revolucion i Flamingove. Në fakt, është një shembull i jashtëzakonshëm i një plage, i një çarjeje, natyrisht të krijuar, që u bë një mënyrë hyrjeje për armiqtë tanë, për të organizuar një operacion shumë të madh me trollë dhe avatarë.

Ndërkohë që ecim me vendosmëri drejt fazës së fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, është thelbësore të forcojmë rezistencën kundër kërcënimeve hibride. Në fakt, kjo nuk është një ushtrim burokratik, por një hap mjaft i rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie rezistente, pa minuar në të njëjtën kohë vlerat e saj demokratike dhe mënyrën demokratike të jetesës.

Që të mos ju marr më shumë nga koha juaj, dua t’ju sjell në mendje hartën e të gjitha vendeve që janë pjesë e të njëjtit proces për t’iu afruar BE-së dhe për t’u bërë anëtare të saj. Pra, nga Ballkani Perëndimor te Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, sa më afër që shkon një vend drejt BE-së, aq më shumë veprojnë aktorët e huaj përmes këtyre metodave, duke hyrë tinëzisht brenda për të sulmuar, sulmuar dhe sulmuar”, tha Rama.

“Ne jemi në pararojë dhe kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata të orientuara dezinformimi edhe ndërkohë që flasim. Prandaj na duhet të mësojmë shpejt, të përshtatemi shpejt dhe, përmes kësaj përvoje në vijën e parë, të ofrojmë edhe vlera praktike për sigurinë e përbashkët europiane.

Të dashur miq, historia ndoshta do të na kujtojë jo vetëm si ata që ishin dëshmitarë të lindjes dhe ngritjes së inteligjencës artificiale, por si brezi që duhej të vendoste nëse e vërteta mund të mbetej më e fortë se manipulimi në një botë digjitale. Dhe kjo është një dilemë shumë e madhe, sepse zgjedhja është jashtëzakonisht komplekse.

Ne jemi demokraci dhe duam të mbetemi demokraci, por në të njëjtën kohë demokracitë ofrojnë me shumë bujari hapësirë edhe për armiqtë e tyre. Kjo është çështja, kjo është dilema dhe kjo është zgjedhja e vështirë që ne duhet të bëjmë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos