Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 10:00 Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, në një takim të zgjeruar ku do të marrin pjesë deputetët dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Sipas axhendës së zbardhur nga gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi, takimi do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, ndërsa më pas do të vijojë me raportime dhe diskutime mbi disa çështje kryesore të qeverisjes dhe axhendës parlamentare.
“Fillimisht sipas axhendës zyrtare do të jetë fjala e kryetarit të Partisë Socialiste, njëkohësisht kryeministrit Edi Rama, dhe më pas fjala e kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla.”, shtoi Beleshi.
Më tej, në mbledhje parashikohet një raportim nga Ministri i Jashtëm mbi konkluzionet e konferencës së tetë ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, me fokus në procesin e integrimit dhe detyrimet që lidhen me shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe të drejtat themelore.
Një tjetër pikë e rëndësishme e axhendës lidhet me projektligjet dhe nismat ligjore që ministrat do të prezantojnë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Sipas gazetares Beleshi në mbledhje do të diskutohet gjithashtu edhe situata në Zvërnec dhe zhvillimet e lidhura me investimet në këtë zonë, çështje që sipas gazetarit kanë marrë vëmendje të madhe publike dhe ndërkombëtare.
“Do të ketë edhe një informim për situatën në Zvërnec dhe interesin për investimet në zonë, duke marrë parasysh reagimet dhe zhvillimet e ditëve të fundit.”, tha Beleshi . (A2 Televizion)