“Rama dhe partitë e vogla po bëjnë lojëra”, Bumçi: Fola me protestuesit që kërkonin burg edhe për Berishën

Nga A2 CNN
30 Qershor 2026, 21:29 | Politikë
 

Anëtari i kryesisë së PD Aldo Bumçi thekson se teza se PS dhe PD janë njësoj është lojë e Edi Ramës, dhe mënyrë që kanë zgjedhur partitë e vogla për të ndërtuar kapital politik. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ish-ministri thekson se s’mund të barazosh një parti që ka 13 vite në pushtet, me PD-në që s’ka asgjë në dorë.

Në një moment që as analistët në studio s’e mbronin dot qeverisjen e Ramës doli teza që janë të gjithë njësoj! Goditja e qeverisë dhe opozitës, kur ky ka 13 vjet të gjitha pushtetet, dhe ne asgjë, opozitë në rrugë, për një moment dolëm edhe ilegal se na morën emrin, t’i barazosh është lojë e Edi Ramës. E dyta, është nga partitë e vogla, të cilat duan të ngrenë një fabul, të gjithë janë njësoj na votoni ne. Politikisht e kuptoj. Janë parti që duan të ndërtojnë kapital politik, por s’ndërtohet asgjë e re mbi mashtrimin”, tha ai.

Bumçi zbuloi ndër të tjera se ka biseduar edhe me protestues që bënin thirrje “Berisha në burg!”. Demokrati vë në dukje se bëhet fjalë për të rinj që kanë qenë fëmijë në kohën e qeverisë së PD dhe nuk mbajnë mend asgjë prej saj.

Kam qenë në protestë dhe kam folur me protestues që thërrisnin: Rama në burg! Berisha në burg! 99 për qind javët e para kanë qenë të rinj. Po t’u heqësh 13 vjet, dilnin 10 vjeç. Çfarë mbajnë mend nga qeverisja jonë ata?! Në Shqipërinë 2005-2013 pati rotacion pushteti, mediat godisnin nga mëngjesi në darkë qeverinë e kohës, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar 30 e ca ligje. Ishin 2,9 milionë banorë”, vijoi Bumçi.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos