Pavarësisht thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg” që vijnë nga protesta, Sali Berisha fton qytetarët dhe demokratët t’u bashkohen të rinjve në sheshin para Kryeministrisë. Lideri demokrat tha se kërkesat e qytetarëve që po protestojnë janë të drejta, ndërsa thirrjet kundër tij i quan të sponsorizuara nga ajo që ai e cilëson si opozita e opozitës.
“Nuk duhet që slogane me protagonistë opozitën e opozitës apo grupime të caktuara të dekurajojnë... Në asnjë mënyrë. Opozita e opozitës është vegël e qeverisë, por u garantoj se nuk është asgjë tjetër vetëm si ajo miza në shpinën e kalit, siç thotë Denis Diderot, që beson se e tërheq karrocën. Por atë karrocë e tërheqin, atë uragan e tërheq përgjegjësia dhe ndërgjegjia qytetare e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha, shkruan A2.
Prej vitesh, Berisha dhe Partia Demokratike kërkon qeveri teknike, por këtë herë lideri opizitar pret që protesta qytetare të arrij këtë synim të tyre: “Shqipëria t'i imponohet një qeveri kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo, mendoj unë, duhet të jetë misioni se unë jam i bindur që ata janë qytetarë me shpirt demokrat, me shpirt demokratik, njerëz të rendit kushtetues, kështu që kuptohet që pushteti arrihet nëpërmjet votës së lirë”.
Berisha thotë se tashmë qytetarët e kanë vrarë frikën, ndaj kërkoi prej demokratëve që të jenë në shesh: “Në bulevardin dhe rrugët e Tiranës u vra shtriga frikë, u vra frika nga të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë. Dhe kjo e bën absolutisht të pashpresë Edi Ramën. Ndaj dhe një herë çdo shqiptar ka një moment historik të japë një dorë, të japë një krah suksesit të kësaj lëvizje”.
Lidhur me skenarët se protesta qytetare po tentohet të kapet nga Rama, Berisha u bëri thirrje demokratëve të mos bien pre e këtyre sloganeve. (A2 Televizion)