Në kontekstin e 10 ditëve protestë që nisën me investimin në Zvërnec të lidhur me familjen e presidentit Trump, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur investimet e huaja në Shqipëri, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet se ato dëmtojnë mjedisin apo shfrytëzojnë krahun e lirë të punës. Nga Konferenca Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Rama theksoi se interesi i investitorëve ndërkombëtarë është rritur falë besimit të krijuar ndaj Shqipërisë vitet e fundit.
Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional për të folur sërish mbi investimet e huaja në Shqipëri. Kreu i qeverisë ia atribuoi qeverisjes së tij rritjen e interesit të investitorëve ndërkombëtarë për vendin, duke argumentuar se besimi ndaj Shqipërisë është forcuar vitet e fundit.
"Ne nuk është se kemi një numër të madh investitorësh të huaj. Sapo ka filluar një interesim nga kapitali dhe sipërmarrja e huaj për Shqipërinë, që lidhet me suksesin e Shqipërisë në turizëm. Deri përpara disa vitesh nuk kemi pasur asnjë interesim nga kapitali i huaj. Shqipëria ishte po kaq e bukur, natyra ishte po kaq e bukur. Interesi i parë që më pas u materializua ishte për Portin e Durrësit. Pas atij investimi ka filluar të ngrihet interesi i kapitalit dhe sipërmarrjes së huaj, sepse më parë nuk kishin besim."
Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit dhe protestave të zhvilluara kundër investimit në zonën e Zvërnecit, në të cilin bëjnë pjesë edhe vajza dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Rama kundërshtoi pretendimet se investimet e huaja përbëjnë rrezik për mjedisin, duke theksuar se dëmet mjedisore nuk mund t'u atribuohen sipërmarrjeve prestigjioze ndërkombëtare.
"Nuk ka prova që kapitali i huaj dhe sipërmarrja prestigjioze të kenë luajtur rol në shkatërrimin e natyrës apo të jenë shkaktarët kryesorë të dëmeve që i janë bërë mjedisit.
Dëmet mjedisore kanë ardhur në radhë të parë nga faza të zhvillimit që kanë qenë të kushtëzuara jo vetëm nga kapitali, por të lidhura me një horizont të mbyllur lidhur me shumë nga temat komplekse të fushës dhe, patjetër, kanë qenë të kushtëzuara nga kostoja e ndërtimit dhe nga çmimi."
Kryeministri e cilësoi gjithashtu të gabuar perceptimin se investitorët e huaj zgjedhin Shqipërinë vetëm për shkak të kostos së ulët të fuqisë punëtore.
"Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasur dhe për punonjës nga Pakistani, Bangladeshi apo Filipinet, sepse duan t’i paguajnë pak, është një ide që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Është gabim i madh që të flitet në këtë mënyrë dhe është gënjeshtër e madhe që të mendohet kështu."
Rama pohoi se sfida kryesore me të cilën përballet industria sot nuk është niveli i pagave, por mungesa e punonjësve të kualifikuar për nevojat e tregut të punës. (A2 Televizion)