Gazetari Lutfi Dervishi dhe deputetja e Partisë Socialiste Briseida Çakërri debatuan mbi 4 milionë eurot që qeveria shqiptare do të japë për kocertin e Kanye West në Tiranë.
Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:
Dervishi: Kur dështon koncerti, nuk ka dështuar Shqipëria. Është një ndërmarrje private. Nuk është ndonjë tragjedi pse u mbush gjysma e stadiumit vetëm dhe tani hajde të blejmë bileta, 20 000 bileta, që të mbushim stadiumin. Kjo tregon që nuk ke mësuar asgjë nga protesta dhe ti nuk mund ta trajtosh ligjin si llastik. Neni 101 është për emergjenca.
Çakërri: Është fond rezervë për investime të paparashikuara. Nuk është fond emergjence.
Dervishi: Nxirre ta lexojmë nenin 101.
Çakërri: Po nga u morën këto 4 milionë euro? Nga diçka dolën. A kishte një parashikim? Buxheti është planifikim.
Dervishi: Duhet të kishit hapur një “go fund me” dhe të plotësonit paratë.
Çakërri: E kuptoj, doni ta bëni banale këtë bisedë.
Dervishi: Nuk është banale. Domethënë, nuk ju shqetëson që merren nga buxheti i shtetit në një kohë që thuhet që nuk do merren.
Çakërri: Po investimi që do kthehet pas, nga gjithë ata njerëz që do të vijnë që do të shpenzojnë në hoteleri, në restorante, në bare… të gjithë këta njerëz që do hyjnë, se nuk do vijnë vetëm nga Shqipëria, do vijnë edhe nga jashtë.
Dervishi: E kishim tek qasja. Qasja këtu është që do ta gjejë një gjë në ligj. Nëse nuk e gjen, do ta ndryshojë ligjin. Është kjo qasje që i ka marrë në qafë. Neni 101 thotë: “Në rast nevoje dhe urgjence”. Ku është nevoja dhe urgjenca në këtë rast?
Çakërri: E kuptoni diferencën? E kuptoni diferencën apo jo?
Dervishi: A lexon shqip apo jo?
Çakërri: Unë e kuptoj diferencën se kam mbaruar për financë. Po të sqaroj prapë. Ka disa lloje fondesh, edhe për emergjencë. Ky nuk është fond emergjence. Ju doni të keqinformoni dhe jeni perfekt për këtë punë.
Petro Koçi: Neni 101 është për Aktin Normativ, si kontekst juridik. Fondi i emergjencës është gjë tjetër.
Dervishi: Po çfarë thotë teksti pra!
Çakërri: Ajo është për shpenzime të paparashikuara.
Koçi: Tani duhet të shikosh nenet që kanë lidhje me fondin rezervë se për çfarë çohen.
Çakërri: Janë para që do të kthehen 5-fish.
Dervishi: Nuk është ky problemi. Ja të kthehen 300 milionë mbrapa. Nuk po themi sa do kthehen. Le të kthehen 400-fish. Problemi është se del dhe
gënjen. Pra, ke thënë që nuk do përdor asnjë qindarkë dhe pastaj ditën e fundit thua “se po turpërohemi”. Ky është problemi. Këtë po diskutojmë. Tjetra është që mua nuk më duket se këta kanë zënë mend nga protesta. Se protesta është pikërisht për të kërkuar një shoqëri më të drejtë. (A2 Televizion)