Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, ka hedhur poshtë kategorikisht aludimet për një shkrirje të mundshme të kësaj bashkie, duke i cilësuar ato si një "shashkë" të hedhur për të stresuar banorët.
I ftuar në emisionin “Ditari i Fundjavës” nga Denisa Pasholli në A2CNN, Mëlyshi paralajmëroi se çdo tentativë e tillë do të përballej me revoltë dhe protesta. Ndonëse kryebashkiaku pranoi sfidat financiare, ai vuri në dukje se ato vijnë si pasojë e marrjes së kompetencave nga pushteti qendror.
“As që duhet të vihet në dyshim shkrirja e Bashkisë Mirditë. Problemi është se dëgjesat publike nëpër qendra qarqesh nuk janë dëgjesa të mirëfillta me qytetarësh. Aty ishte një numër i caktuar eksponentësh politikë, por jo një diskutim për të kuptuar se çfarë është Reforma Territoriale dhe si ndikon në marrjen e shërbimeve. Nuk ka një konfirmim që Bashkia Mirditë do të shkrihet. As nuk vihet në diskutim. U hodh një shashkë e para disa ditëve, për të vënë ato ndjenjat e mirditorëve në një stres, në një problematikë, e cila s’mund të ndodhte. Ka konfirmime që s’do të preket Bashkia Mirditë dhe s’mund të preket Bashkia Mirditë”, tha Mëlyshi.
I pyetur nëse arrin të mbijetojë vet financiarisht bashkia që ai drejton, Mëlyshi tha: “Nëse ti bashkive si pushtet qendror u merr pjesën më të madhe të të ardhurave dhe s’ua rikthen në burim atëherë ato normalisht do kenë probleme. Nëse bashkive s’ju lë kompetenca për të mbledhur ato të ardhura që realisht merren nga qeveria në Mirditë, patjetër që ka probleme të caktuara financiare. Disa nga rentat minerare, taksat që qeveria mbledh në këto bashkie, le t’i mbledhë pushteti vendor”.
Mëlyshi vuri në dukje se nëse do të kërkohej shkrirja e Bashkisë Mirditë, kjo do të shkaktonte protesta.
“Nëse do shkojë ndërmend, do krijonte jo pakënaqësi, se është term i vogël, por do krijonte rrëmujë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Mirditën, por shumë më gjerë. Jo vetëm protestë, aty ka një revoltë vetëm pse është vënë në diskutim. Vetëm nga një tymnajë e krijuar para disa ditësh, ka krijuar revoltë të jashtëzakonshme”.
(A2 Televizion)