Miratohet në parim Amnistia Penale, kalon në seancë më 18 qershor. Ministri Gogu: Është standard europian

Nga Fjorela Beleshi
8 Qershor 2026, 12:25 | Politikë

Miratohet në parim Amnistia Penale, kalon në seancë më 18

Projektligji për Amnistinë është miratuar në parim në Komisionin e Ligjeve këtë të hënë, raporton A2 CNN. Në seancë plenare është parashikuar të kalojë më 18 qershor.

“Ka një dallim shumë të qartë, drejtësia patjetër që ndëshkon, por qëllimi është të dallojë qartë se kur dënimi ka arritur qëllimin e vet. Dhe kur ky qëllim arrihet, ushtrohet amnistia penale. Është standard europian, natyrisht duke mos toleruar atë krim që shoqëria e ndjek me vëmendje dhe është tërësisht kundër, korrupsioni, krimi i organizuar, terrorizmi, etj. Kjo bën lehtësimin e sistemit penitenciar, duke na dhënë mundësinë të trajtojmë më mirë ata që vazhdojnë të vuajnë dënimin”, tha ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, pas përfundimit të seancës në Komisionin e Ligjeve.

Gjatë prezantimit, Gogu, theksoi se në të nuk përfshihet asnjë person i dënuar për korrupsion nga Gjykata e Posaçme.

“Nëpërmjet zbatimit të amnistisë, një nga efektet kryesore është edhe ulja e numrit të të dënuarve në institucionet penitenciare. Ulja e numrit të personave të burgosur përmirëson kushtet në këto institucione, duke garantuar trajtimin e tyre në përputhje me rregullat evropiane të burgjeve”, tha Gogu, përcjell A2 CNN.

“Aktualisht, në sistemin e burgjeve janë të akomoduar gjithsej 4 982 persona, nga të cilët 1 827 të dënuar dhe 2 629 të paraburgosur (gjendja datë 24.12.2025). Janë analizuar të dhënat për personat e burgosur që ndodhen aktualisht në sistemin e burgjeve dhe, referuar kritereve të ligjit nr.33/2024, “Për dhënie amnistie”, rezulton se rreth 380 shtetas përfitojnë lirimin e menjëhershëm dhe rreth 900 shtetas përfitojnë ulje dënimi, nëse zbatohen të njëjtat kritere të përcaktuara në këtë ligj”.

Gogu tregoi me detaje kush përfiton dhe kush jo nga amnistia. “Të gjithë burrat që janë dënuar deri më 3 vjet ose i kanë mbetur më pak se 3 vjet dënohen menjëherë. Të gjitha gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose i kanë mbetur më pak se 4 vjet dënohen menjëherë. Të gjithë burrat +60 vjeç dhe gra +50 vjeç lirohen menjëherë. Të miturit të cilët në momentin e krimit kanë qenë nën 18 vjeç lirohen menjëherë. Të gjithë të dënuarit e tjerë burra marrin një vit ulje, gratë 1.5 vite”, shtoi ministri.

“Përjashtohen nga amnistia të gjithë ata nuk mund të ketë kryer krime të rëndë, vrasjet në rrethana cilësuese, krimet seksuale, trafikimi, korrupsioni që është  nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO apo krimet zgjedhore. Kushti kryesor do të jetë që dënimi duhet të jetë dhënë deri në 31 dhjetor 2025". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos