“Me ikjen e Ramës mbyllet tranzicioni politik”, zyrtari demokrat debat me deputetin socialist

Nga A2 CNN
22 Korrik 2026, 21:41 | Politikë

Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe Erion Malaj, deputet i Partisë Socialiste u përfshinë në një debat mbi mënyrën e qeverisjes së vendit nga kryeministri Edi Rama.

Debati i zhvilluar me tyre në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Hoxha: Nuk ka kryeministër në BE të cilit nuk i dihen shpenzimet. Sarkozy është në burg për veprime shumë më të vogla. Ke raste ministrash që janë dorëhequr për shuma banale 200-300 euro. Këtu flasim për qindra mijëra euro që mund ta kenë peng kryeministrin. Nuk e dimë kush ia ka paguar kryeministrit biletën për ndeshjen e NBA në Amerikë.

Malaj: Zoti Hoxha, se nuk dua t’ju ndërpres, por mendoni realisht që një kryeministër i një vendi sot mund të merret peng me një biletë ndeshjeje të NBA?

Hoxha: Ajo bileta mund të jetë 100 mijë dollarë. Ai ka detyrimin ligjor t’i thotë ILDKP-së çdo shpenzim, qofshin dhurata.

Malaj: Ato janë vende me ftesë, si në rastin e stadiumit kombëtar. Ka një lozhë aty.

Hoxha: Kush e ka ftuar? NBA? Një biznesmen privat?

Malaj: Drejtojani pyetjen, por që të thoni është kapur me një biletë ndeshjeje NBA gjykoj që nuk është e drejtë. Unë nuk do e thoja për askënd.

Hoxha: Biletat nuk e dimë kush ia paguan, pikturat nuk e dimë me çfarë parash i shëtit. Institucionet që duhet të bëjnë detyrën i ka marrë peng ky dhe nuk veprojnë. Prandaj quhet monokraci. Ky është problemi i Shqipërisë, prandaj në raportet ndërkomëbtare Shqipëria nxin. Partia Socialiste, fatkeqësisht, është larguar nga e majta, nga ajo që ka përfaqësuar ndër vite dhe do ishte më e mirë që një grup të rinjsh ta rithemelojnë atë parti. Asgjë nuk e lidh të majtën me këtë model financiar të shtetit privat.

Malaj: Kur i jam bashkuar partisë, kryetari më ka thënë: “Uroj që ti të bësh sa të mundesh partinë si veten dhe jo veten si partia”. Këtë ia ka thënë shumë të rinjve që ne të përpiqemi për një formë tjetër të të bërit politikë. Sa i përket raporteve, është normale që të kërkohen ndryshime ligjesh nga eurodeputetët. Mirë është që rezolutat që vijnë nga BE-ja t’i marrim parasysh. Do vijë një moment që çdo ligj që kërkohet nga ata për t’u ndryshuar, do ndryshohet.

Hoxha: Ky individ ka bërë gjëra që nuk ka guxuar askush t’ia bëjë vendit. Kjo që i ka ndodhur Shqipërisë nga zoti Rama është e papranueshme dhe e them me bindje të plotë që me ikjen e tij do të mbyllet tranzicioni politik në Shqipëri.

Malaj: Alternativa kush është? E ardhmja që është kryetari i Partisë Demokratike?

Hoxha: Do ta zgjedhin qytetarët me votë.

Malaj: E kanë zgjedhur, zoti Hoxha. 4 mandate e kanë zgjedhur.

Hoxha: Jo, nuk e kanë zgjedhur. Sa herë bëhen zgjedhje pa zgjedhje, ngel në klasë. Lexoni raportet.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos