Jo vetëm largimin e Edi Ramës, Sali Berisha mbështet edhe kufizimin e qëndrimit në detyrë për jo më shumë se 8 vite të një kryeministri. Nga konferenca e përditshme me gazetarët ai tha se krahas kërkesave të protestës është gati ta votojë edhe këtë.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha: “Kërkohet, mos gaboj, jo s'gaboj fare se kjo është ndër pesë kërkesat e para, po shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë”.
Nga konferenca e përditshme për mediat, Berisha iu rikthye akuzave ndaj Edi Ramës për pronat në Vuno, duke e akuzuar se po grabit zonat më të bukura të jugut të Shqipërisë.
“Kam denoncuar plaçkitjen nga familja e tij, e ndjera nënë e tij dhe vëllai i tij, natyrisht së bashku, të njërit prej kanioneve më të bukura të botës, kanionit të Gjipesë. Kanioni i Gjipesë rreshtohet në 20 kanionet më të çmuara të planetit”, u shpreh Berisha.
Referuar një libri të titulluar “Dosjet e Shqipërisë” ku prezantohen projektet që mund të jetëzohen në zona të ndryshme të vendit, Berisha i bëri thirrje agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare për të ndërhyrë pasi sipas tij investitorë janë grupet kriminale.
“Në 41 përqind të projekteve nuk përmendet fare zhvilluesi trafikant. Zhvilluesi është Franc Çopja, Salvator Aliu, Gjika, etj, etj. Ata janë zhvilluesit. Në rrafshin ndërkombëtar i bëj thirrje Eurojust, i bëj thirrje Interpolit, i bëj thirrje Europolit të vendosë nën hetim pa përjashtim të gjithia kompanitë e listuara në librin ‘Dosja’ të Edi Ramës”, vijon Berisha.
Librin e mbushur me projekte arkitekturore të studiove të huaja, Berisha e cilësoi si skandal ndërkombëtar. (A2 Televizion)