
Partia Demokratike mbledh pasditen e sotme, në orën 18:00, Këshillin Kombëtar, ku në rend të ditës është zgjedhja e ekipit të ri drejtues në mbështetje të kryetarit të partisë.
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i A2 CNN, Anesti Barjamemaj, në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së do të përballen Flamur Noka dhe Saimir Korreshi.
Ndërkohë, për postet e nënkryetarëve të Partisë Demokratike janë disa gara. Përballë do të jenë Erisa Bajaziti me Lili Sulën, Luçiano Boçi me Belind Këlliçin, si dhe Nikola Kedhi me Xhonatan Panon.
Për shkak të detyrës, pjesë e strukturës drejtuese do të jenë automatikisht Gazment Bardhi, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe Agron Gjekmarkaj, si nënkryetar i Kuvendit.
Për postin e Sekretarit të Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore do të garojë Marash Logu, ndërsa Franc Nuri do të përballet me Ledio Nurajn për postin e Sekretarit për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkohë, për postin e Sekretarit Organizativ do të garojnë Klevis Balliu dhe Agron Loka.
Gjithashtu, mësohet se Fjoralba Dizdari do të jetë në garë për postin e Sekretares për Integrimin. (A2 Televizion)