Protesta e qytetarëve hyn sot në ditën e 31-të. Mbrëmë tubimit iu bashkua edhe eurodeputetja e të Gjelbërve, Cristina Guardia.
Në një intervistë për gazetarin e A2 CNN, Indrit Maraku, ajo theksoi se mbështet kauzën ambientaliste dhe se qeveritë duhet të respektojnë të drejtën e qytetarëve.
Sa i përket kërkesave për dorëheqje dhe qeveri tranzitore, ajo u shpreh se nuk ndërhyn në punët e brendshme të një populli.
Eurodeputetja: Është një mision që po bëjmë jo vetëm për të parë me sytë tanë protestat, por edhe për të parë vendet që janë objekt i kësaj proteste dhe për të arritur të takojmë qytetarinë, shoqërinë civile, shoqatat dhe gjithashtu politikanët që janë përgjegjës për të shkuar e për të zgjidhur këtë situatë dhe për të dëgjuar qytetarët.
Gazetari: Sot keni takuar një përfaqësi të atyre që protestojnë prej 30 ditësh këtu në Tiranë? Me përfaqësues të qeverisë keni në agjendë takime të tjera?
Eurodeputetja: Po, në ditën e mërkurë do të takojmë përfaqësues të qeverisë dhe të parlamentit. Mendojmë se është i rëndësishëm ky shkëmbim, sepse si parlamentarë europianë ndihemi jashtëzakonisht përgjegjës që afrimi i Shqipërisë me Europën të jetë vërtet respektues i dinjitetit të qytetarëve shqiptarë. Njohim në këtë luftim një mesazh shumë të qartë: kërkesën për respekt, për t’u dëgjuar dhe për t’u përfshirë në proceset e vendimmarrjes. Edhe në Europë ndodh shpesh që qytetarët nuk dëgjohen dhe duhet të ripërvetësojmë të drejtat tona.
Gazetari: Do të vizitoni zonën e Nartës dhe Aeroportin e Vlorës?
Eurodeputetja: Do të shkojmë në këto ditë, për të vizituar në mënyrë të veçantë zonën e Aeroportit të Vlorës. Kemi propozuar edhe një amendament të votuar me shumicë të gjerë për një moratorium ndaj projekteve të kontestuara, sepse Shqipëria duhet të përshtatet me normat europiane, të cilat kërkojnë vlerësim të ndikimit në mjedis dhe dëgjim të qytetarëve.
Gazetari: A mbështesni kërkesat për dorëheqje dhe qeveri teknike?
Eurodeputetja: Ne nuk duhet të ndërhyjmë në këto zgjedhje, sepse çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes. Por ne nuk duhet të futemi në rrugëtimin e brendshëm të vendimmarrjes. Ajo që është e rëndësishme është të kërkojmë të njëjtën rreptësi që u kërkojmë qeverive tona. Në Itali po ndodh një situatë e ngjashme me shkelje të mbrojtjes së natyrës dhe mungesë respekti ndaj qytetarëve lokalë. Në të njëjtën mënyrë duhet të veprohet në çdo vend, sepse toka juaj duhet trajtuar si e përbashkët.
(A2 Televizion)