“100 mijë protestues në Shqipërinë e vogël”, Balla replikon për shifrat me Senatorin amerikan Bernie Sanders: Socialistët shokët tuaj ideologjikë, ju ftoj të na vizitoni

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 14:39 | Politikë

“100 mijë protestues në Shqipërinë e

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar në distancë me Senatorin amerikan Bernie Sanders, lidhur me protestën që po zhvillohet prej më shumë se një jave në Shqipëri.

“Në Shqpërinë e vogël, mbi 100 mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz, por shkatërrimtar për ambientin, të planifikuar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është oligarkia dhe njerëzit po thonë JO”, shkroi Sanders në X të martën.

Pak orë më vonë, Balla iu përgjigj në të njëjtën platformë sociale, duke i kundërshtuar shifrat e Snaders-it. “I dashur Senator Sanders, çdo ditë ndjek me vëmendje se sa shumë luftoni me njëri-tjetrin në politikën amerikane, ashtu siç bëjmë edhe ne këtu në Europë dhe në Shqipëri. Kudo duket si një “shtëpi letrash”.

Sigurisht që ju mund të ndërhyni dhe të shprehni qëndrime për çështjet e vendeve të tjera, por duke qenë se jemi aleatë në NATO dhe SHBA e Shqipëria kanë një partneritet strategjik, mendoj se do të kishte qenë e përshtatshme të verifikoheshin faktet reale.

Dje kishte rreth 2 mijë protestues, pra rreth 50 herë më pak sesa shifra prej 100 mijë personash që po përmendni. Gjithashtu pati shumë angazhime dezinformuese me burim iranian, të kombinuara me forma të tjera të ndikimit keqdashës, si edhe shumë antisemitizëm. E gjithë kjo nisi nga një fushatë me nota antisemite”, thotë Balla.

“Së dyti, sa i përket projektit: bëhet fjalë për një projekt të propozuar, shumë miqësor me natyrën, i cili ndodhet ende në fazën e konceptimit. Ai do të ndërtohet tërësisht në një pronë private. Senator, unë jam një socialist i bindur, ashtu si edhe ju, por respektoj fuqimisht rregullat e kapitalizmit. Nga sa duket, jeni keqinformuar, sepse nuk ka ende asnjë projekt të miratuar. Sapo projekti të prezantohet dhe të bëhet publik, do t'jua përcjell edhe juve.

Shqipëria ka nevojë për një investim të tillë. Ai do ta çojë vendin tonë në një tjetër nivel në turizmin evropian dhe global. Ne kemi nevojë për këtë zhvillim. Tre të pestat e shqiptarëve na kanë votuar ne, socialistët, shokët tuaj ideologjikë, me synimin e qartë për ta zhvilluar fuqishëm vendin tonë. Ju lutem, mos na përdorni ne, Shqipërinë, si një top për të goditur kundërshtarët tuaj politikë në vendin tuaj. Për shumë prej nesh, situata aktuale të kujton filmin “Wag the Dog”. Besoj se e keni parë.

Ndërkohë, ju lutem pranoni edhe ftesën time për të vizituar Shqipërinë, vendin tonë të bukur dhe më pro-amerikan në Europë, pavarësisht se kush është në pushtet në Uashington, republikanët apo demokratët. Shpresoj ta pranoni këtë ftesë, të cilën do t'jua dërgoj edhe zyrtarisht. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos