
Kryeministri Edi Rama komentoi protestat kundër projektit të Zvërnecit, duke iu përgjigjur edhe thirrjeve të disa protestuesve që kanë artikuluar slogane kundër tij.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, Rama tha se në protesta ka njerëz të ndryshëm, përfshirë edhe ata që bërtasin “Vdekje Edi Ramës”.
“Ka shumë njerëz të ndryshëm që protestojnë në rrugë. Ka nga ata që bërtasin ‘Vdekje Edi Ramës’. Mesazhi im për ta është: vazhdoni, se më shtohet jeta”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se mes protestuesve ka edhe qytetarë që janë realisht të shqetësuar për projektin në Zvërnec, ndaj të cilëve, sipas tij, ka shprehur gatishmërinë për dialog.
“Ka edhe njerëz që vijnë sepse janë të shqetësuar. Atyre u them se nëse janë vërtet të shqetësuar për Zvërnecin, ejani të flasim. I kam ftuar të bisedojmë”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, një pjesë e kundërshtarëve të projektit kanë refuzuar dialogun, me argumentin se nuk duan të bisedojnë me të pasi, sipas tyre, ai mund t’u ndryshojë mendjen.
“Përgjigjja e tyre është se nuk flasim me ty, sepse je një djall që na ndryshon mendjen”, tha kryeministri. (A2 Televizion)