
Policia Kufitare e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pranë ishullit të Sazanit, ku 11 emigrantë nga vendet e treta rrezikuan jetën gjatë tentativës për të kaluar me gomone drejt Italisë.
Pas një hetimi të shpejtë, autoritetet kanë identifikuar dhe arrestuar personin që dyshohet se organizoi transportin e paligjshëm të emigrantëve.
Në pranga ka rënë shtetasi 43 vjeç, Masud Emir i arrestuari me origjinë nga Afganistani, i cili dyshohet se kishte organizuar nga Greqia futjen e paligjshme në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, me qëllim dërgimin e tyre më pas drejt Italisë, shkruan A2CNN.
Sipas hetimeve paraprake, 43-vjeçari kishte marrë një gomone në zonën e Semanit, Fier, pasi vendndodhja i ishte dërguar nga një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se është i përfshirë në organizimin e kalimit të emigrantëve. Ky person ende nuk është identifikuar dhe policia vijon punën për kapjen e tij.
Ngjarja u zbulua pranë ishullit të Sazanit, ku emigrantët ndodheshin në rrezik për shkak të kushteve të vështira të lundrimit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, ata u shpëtuan dhe u morën nën procedurat përkatëse ligjore. (A2 Televizion)