Xhuliano Xhaferraj dëshmoi të martën në Gjykatën e Posaçme, në procesin ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar si drejtuesi i një grupi kriminal, që i ka vrarë të vëllain, Fridman Xhaferraj. I pandehuri Haxhiu nuk ishte prezent në sallë, ndërsa dëshmitari Xhaferraj mbërriti i prangosur për shkak se mbahet në paraburgim për llogari të një hetimi tjetër penale.
Nga banka e dëshmitarit, Xhaferraj tha se kishte qenë në burg në qershor 2021, kur vëllai i tij, jo vetëm u ekzekutua, por edhe u fundos në një rezervuar në fshatin Gjanç të Korçës. Dëshmitari nuk ngarkonte njeri me përgjegjësi për vrasjen e vëllait, por tha se kishte dëgjuar në Lushnje se krimi ishte porositur nga Laert Haxhiu.
“Unë e pyeta babanë e Laert Haxhiut, Qamilin, a dinte gjë, tha dëshmitari. Flitej në Lushnje që vëllai kishte qenë me Laertin dhe që ka dhënë urdhër Laerti për ta vrarë, ngaqë ka folur. Nuk jam i sigurt, vijoi dëshmitari Xhaferraj, por kështu flitej. Babai i Laertit tha që djali im nuk ka gisht në këtë punë”, tha ai, përcjell A2 CNN. Me tej, në përgjigje të pyetjeve të avokatëve të Haxhiut, dëshmitari tha se “Unë nuk jam fare që e ka bërë Laerti këtë gjë. I kam thënë edhe babait të tij, që nuk e besoj të ketë bërë gjë”.
Seanca e së martës vijoi me pyetjen e disa dëshmitarëve të tjerë të SPAK mbi vrasjen e Albi Bashaliut, ndodhur më dhjetor 2021 në Gjoçaj të Peqinit. Dëshmitari Sami Bashaliu rrëfeu se kishte parë para lokalit të tij një djalë të maskuar që qëlloi Bashaliun, si edhe një tjetër që i vuri flakën një makine “Audi” me të cilën kishin ardhur në vendin e ngjarjes.
Në këtë proces, Laert Haxhiu, i dënuar përjetë për një tjetër krim, po gjykohet si drejtues i një grupi kriminal, përgjegjës për 14 ngjarje kriminale, mes të cilave “vrasje me paramendim”, “vrasje për gjakmarrje” dhe “vjedhje me armë”. (A2 Televizion)