Alarm i rremë për lëndë plasëse: Evakuim i menjëhershëm dhe masa maksimale sigurie

Nga A2 CNN
25 Prill 2026, 21:39 | Kronikë

Alarm i rremë për lëndë plasëse: Evakuim i

Një alarm për vendosjen e një sasie lënde plasëse në Qendrën Tregtare “Toptani” ka rezultuar i rremë, por ka vënë në lëvizje të menjëhershme të gjitha strukturat e sigurisë të këtij subjekti si dhe autoritetet përkatëse.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:10, shefi i sigurisë së qendrës ka njoftuar Policinë pasi kishte marrë një e-mail ku pretendohej se ishte vendosur eksploziv.

Menjëherë është zbatuar protokolli i emergjencës ku ambientet janë evakuuar në mënyrë të organizuar, duke ruajtur qetësinë dhe sigurinë e klientëve dhe stafit.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kryen kontrolle të imtësishme në të gjithë perimetrin e qendrës.

Pas verifikimeve, nuk u konstatua asnjë element i rrezikshëm, duke konfirmuar se bëhej fjalë thjesht për një alarm të rremë.

Qendra “Toptani” reagoi në përputhje të plotë me standardet e sigurisë, duke dëshmuar përgjegjshmëri maksimale ndaj klientëve të saj.

Evakuimi i shpejtë, koordinimi me autoritetet dhe menaxhimi pa panik i situatës treguan një nivel të lartë përgatitjeje dhe përkujdesjeje.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për identifikimin e personit që ka dërguar emailin e rremë, ndërsa rikujton se përhapja e lajmeve të rreme apo alarmet e pavërteta përbëjnë vepra penale dhe sjellin pasoja serioze.

Ky rast vjen në një kohë kur autoritetet janë përballur me disa sinjalizime të rreme ditët e fundit.

DEKLARATË ZYRTARE PËR MEDIAT - NGA QENDRA TOPTANI

Alarm i rremë për kërcënim, situata u menaxhua menjëherë sipas protokolleve të sigurisë.

Sot, në ambientet e qendrës sonë erdhi një email anonim që përmbante një kërcënim për hapësirat e qendrës.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, u aktivizuan protokollet e sigurisë dhe u njoftuan menjëherë autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë e Shtetit. Paralelisht, ekipet tona të sigurisë dhe departamenti ligjor koordinuan nga afër të gjitha veprimet e nevojshme sipas procedurave të parashikuara për situata të tilla.

Në interes të sigurisë maksimale, u ndërmor menjëherë evakuimi i kontrolluar i vizitorëve, stafit dhe punonjësve në dyqanet e qendrës. Ky proces u realizua me shpejtësi dhe në mënyrë të organizuar, duke ndjekur protokollet e emergjencës që janë pjesë e standardeve tona të operimit.

Pas verifikimeve të kryera nga autoritetet kompetente, rezultoi se njoftimi ishte një alarm i rremë dhe nuk u konstatua asnjë rrezik për sigurinë publike.

Dëshirojmë të theksojmë se siguria e vizitorëve, punonjësve dhe partnerëve tanë mbetet prioriteti ynë absolut. Qendra jonë funksionon mbi standarde të qarta sigurie dhe menaxhimi të riskut dhe bashkëpunon vazhdimisht me institucionet përgjegjëse për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë.

Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që kjo situatë mund të ketë shkaktuar dhe falënderojmë vizitorët, partnerët dhe stafin për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë menaxhimit të kësaj situate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos