Rreth 770 mijë përfitues, “bonus vere” në vlerën e 5 mijë lekëve për pensionistët

Nga Marjo Brakaj
1 Korrik 2026, 15:10 | Ekonomi

Të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese të pensionit, veç indeksimit... këtë muaj do të marrin e një “bonus vere” në vlerën e 5 mijë lekëve, shkruan A2 CNN. “Ç’është e vërteta për ne pensionistët është një ndihmesë. Pavarësisht se po ta shtrish në harkun kohor të vitit nuk është gjë fare. Duket si një kursim. Pensionistët kanë më shumë nevoja ndoshta edhe se të rinjtë. Hanë më shumë, kanë edhe ilaçe”, thotë një i moshuar.

Me ndryshimet në buxhet, qeveria akordoi 3.7 miliardë lekë fond për të shpërblyer pensionistët. “I mora paret! Mbaroi. Mora 10 mijë lekë se e kam pensionin e madh. Dalin si nuk dalin gjithë këto para”, thotë një tjetër.

Ka edhe nga ata që megjithëse nxituan të tërhiqnin bonusin, u larguan duarbosh nga pika e postës. “Nuk tërhoqëm sot. Sot nuk kishte lekë. Këta sot e kanë hapur për të respektuar atë që u tha në televizion. Po lekë nuk ka”.

Në fund të vitit, të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese do të marrin gjithashtu edhe “bonusin e fundvitit”. “Më mirë rritja mujore. E kemi më mirë për t’i menaxhuar shpenzimet”.

Brenda muajit korrik qeveria thotë se do të ketë gati edhe draftin e parë të skemës së re të pensioneve që po bëhet me asistencë të Bankës Botërore, dhe brenda shtatorit do të jenë gati ndryshimet finale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos