Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, Shqipëria dhe shqiptarët duhet fillimisht të integrohen ekonomikisht. Në këtë drejtim, është Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor që po i jap “një dorë” vendit. Bashkimi Europian ka dhënë gati 213 milionë euro deri më tani.
Zv/kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se: “Qeveria e Shqipërisë e konsideron Instrumentin për Reforma dhe Rritje jo thjesht si një mekanizëm financiar, por si një nga instrumentet më të rëndësishme për përshpejtimin e përgatitjeve të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne e vlerësojmë logjikën e këtij instrumenti, të bazuar te rezultatet. Në fakt, kjo është një qasje që Shqipëria e ka mbështetur dhe kërkuar publikisht që në fillim: një sistem që shpërblen drejtpërdrejt progresin.”
Shqipëria do mund të përfitojë deri në 1 miliardë euro grante dhe kredi për të financuar projekte nga i ashtuquajturi “Plani i ri i Rritjes së Ballkanit Perëndimor”.
Sigrid Brettel, përfaqësuese e Komisionit Evropian, tha: “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është shndërruar gjithashtu në një faktor përshpejtues të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke nxitur përafrimin real me standardet evropiane në fusha që lidhen drejtpërdrejt me procesin e screening-ut dhe grupkapitujt e negociatave. Duke parë përpara, hapat e Agjendës së Reformave për vitin 2027 përfaqësojnë një ngarkesë të konsiderueshme pune për njëmbëdhjetë institucione shqiptare.”
Por në këmbim, Shqipëria duhet të vijojë reformat. Nga klima e biznesit, te kapitali njerëzor, energjia bashkë me tranzicionin digjital e me në thelb shtetin e së drejtës... janë këto pesë drejtimet në të cilat planifikohet të shtrihen reformat në tre vitet e ardhshme.
Eridana Çano, drejtoreshë e SASPAC, tha: “Sfida kryesore mbetet hendeku ndërmjet miratimit të legjislacionit dhe zbatimit real të reformave. Miratimi i një ligji është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm. Një hap reformues konsiderohet i përmbushur vetëm kur qytetarët, bizneset apo institucionet përjetojnë efektet e tij në praktikë. Kjo kërkon jo vetëm ligje, por edhe akte nënligjore, kapacitete institucionale, mbështetje buxhetore dhe vullnet politik të qëndrueshëm.”
Bashkimi Europian vlerëson se me vënien në dispozicion të parave nga Plani i Rritjes, Shqipëria mund të rrisë ekonomitë e saj me deri në 10 për qind, duke thithur edhe më shumë investime të huaja. (A2 Televizion)