Votat e diasporës, “përcaktuese” në formimin e institucioneve të reja

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 17:58 | Politikë

Votat e diasporës, “përcaktuese” në formimin e

Votat ende të panumëruara të diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, pritet të kenë peshë më të madhe dhe të jenë përcaktuese në formimin e institucioneve të reja të Kosovës, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 104 mijë e 480 votues ishin regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën kanë votuar 22 mijë e 414 persona.

Por, për të kuptuar numrin e saktë të votave nga jashtë vendit, duhet që fillimisht ato të verifikohen, proces që nisi pasditen e së martës, përcjell A2.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i madh i votave që pritet të konfirmohen si të vlefshme – që ai vlerëson se mund të jenë mbi 100 mijë – do të kenë ndikim “tejet domethënës” në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës prej 120 karrigesh.

“Nëse i marrim parasysh trendët e viti 2025, përkatësisht ato të dhjetorit, dhe duke supozuar që Lëvizja Vetëvendosje do të performonte njëjtë, ky subjekt mund të shkojë deri në 53 mandate, që nënkupton një rritje prej pesë mandatesh, që në suaza normale do t’i merrte dy nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por gjithmonë në varësi të performancës së vetë këtyre subjekteve politike”, thotë Cakolli.

Në bazë të rezultateve preliminare – ku përfshihen vetëm votat e rregullta – Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.95 për qind të votave apo 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 21.14 për qind të votave apo 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 17.60 për qind të votave apo 20 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – subjekt që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave apo tetë mandate.

Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare

Cakolli nga KDI thotë se në fund, numri i mandateve në Kuvend do të përcaktojë se “kush do të ketë gjasat më të mëdha” për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve, pra 61.

Po sipas Kushtetutës, posti i kryekuvendarit i takon partisë që del e para në zgjedhje, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, pas konstituimit të Kuvendit, këtij subjekti i takon që të propozojë i pari mandatarin për Qeverinë. Akti më i lartë juridik i shtetit parasheh që në rastin e ekzekutivit, stafeta mund t’i kalojë edhe partive të tjera, në rast se fituesi i zgjedhjeve s’arrin të bëjë shumicën. Por, kjo mbetet në diskrecionin e presidentit, në rastin aktual të ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovë, Albulena Haxhiu, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në legjislaturën paraprake, të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, LVV-ja siguroi 57 ulëse në Kuvend dhe me mbështetjen e tetë deputetëve nga komunitetet joshumicë, arriti të siguronte shumicën parlamentare dhe duke formuar Qeverinë.

Nga 120 vendet në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: dhjetë për komunitetet joserbe dhe dhjetë për komunitetin serb. Sa i përket dhjetë vendeve për komunitetin serb, bazuar në rezultatet e deritanishme, Lista Serbe do të fitojë nëntë prej tyre dhe një ulëse do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.

“Duke e ditur që subjektet nga radhët e komuniteteve pritet të përfaqësohen me numër identik të mandateve, e mbase edhe të deputetëve në legjislaturën e re, kjo nënkupton që do të jenë deri në dy deputetë në kuadër të komuniteteve joserbe, të cilët mund të kenë ndikim në përcaktimin se a do të kemi institucione apo jo”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Ndikimi i votave nga jashtë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, sipas Cakollit, kësaj radhe është rritur edhe për shkak të daljes së ulët në zgjedhje në Kosovë.

Më 7 qershor, pjesëmarrja ishte 37.02 për qind – apo 725 mijë e 488 votues – më e ulët se zgjedhjet e dhjetorit, kur votuan 906 mijë e 754 persona apo 45.36 për qind e trupit votues.

Lidhur me ndikimin që pritet të kenë votat nga diaspora, pajtohet edhe Lirim Krasniqi, drejtor në organizatën joqeveritare “Germin”, që merret me çështje të diasporës.

“Pesha e votave nga jashtë në rezultatin përfundimtar mund të jetë ndër më të lartat deri më tani në historinë zgjedhore të Kosovës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Duke bërë krahasimin me votimet paraprake, Krasniqi thotë se kësaj radhe pritet që të ketë më shumë vota nga jashtë.

“Duke u bazuar në përvojën e zgjedhjeve të kaluara dhe në numrin e lartë të votuesve të regjistruar për votim me postë, mund të pritet që numri total i votave me postë të jetë rreth 80 mijë, dhe totali i votave nga jashtë Kosovës të kalojë mbi 100 mijë”, thotë ai.

Në zgjedhjet e 7 qershorit u shënua numri më i lartë i votuesve të regjistruar për votim nga jashtë vendit, me mbi 132 mijë aplikime.

Pas përfshirjes së votave të diasporës, Cakolli pret që përqindja e përgjithshme e pjesëmarrjes në zgjedhje të jetë rreth 41 për qind.

“Trendët tregojnë që kemi një interesim të shtuar të votuesve në diasporë e një rënie të interesimit [për të votuar] te votuesit në Kosovë”.

Sipas Cakollit, nëse trendi i uljes së pjesëmarrjes në votimet në Kosovë vazhdon edhe në të ardhmen, e rritet ai i atyre që jetojnë jashtë vendimit, ndikimi i votave nga diaspora mund të jetë edhe më i madh.

“Pra, në dhjetor ka qenë dy-tre [ulëse], derisa tani jemi te kalkulimi te e pesta. Nëse vijohet me një trend të tillë, [ndikimi i votave nga diaspora] mund të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, thotë Cakolli.

Përderisa votat e rregullta brenda vendit – që rëndom numërohen në klasa menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve – u numëruan brenda pak orësh gjatë së dielës – autoritetet zgjedhore tani duhet të numërojnë edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, përveç atyre nga diaspora.

KQZ planifikon që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos