
Emërimi i Elias Irizarry në një post të ndjeshëm në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes ka shkaktuar polemika brenda Pentagonit për shkak të përfshirjes së tij në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol, shkruan A2 CNN.
Ai do të punojë në zyrën për Operacionet Speciale dhe Konfliktet me Intensitet të Ulët, e cila merret edhe me shpëtimin e pengjeve dhe rikuperimin e personelit. Në vitin 2023 ai u dënua me 14 ditë burg pasi hyri në Kapitol përmes një dritareje të thyer gjatë sulmit ndaj Kongresit, raporton A2 CNN.
Kritikët argumentojnë se ai nuk duhet të mbajë një detyrë që kërkon akses në informacione tepër sekrete dhe vënë në dyshim përvojën e tij profesionale.
Irizarry, i cili ishte 19 vjeç gjatë ngjarjeve të 6 janarit, u diplomua në akademinë ushtarake Citadel në vitin 2024 dhe më pas kandidoi pa sukses për një vend në legjislaturën e Karolinës së Jugut. (A2 Televizion)