
Pavarësisht armëpushimit të arritur mes Indisë dhe Pakistanit pas përplasjes ushtarake të majit 2025, viktimat vazhdojnë të regjistrohen në akullnajën e Siaçenit, e njohur si fusha më e lartë e betejës në botë.
E shtrirë në vargmalin Karakoram, në pikën ku takohen kufijtë e Indisë, Pakistanit dhe Kinës, akullnaja e Siaçenit është kthyer në simbol të një konflikti që vazhdon prej më shumë se katër dekadash. Që nga viti 1984, të dy vendet mbajnë mijëra trupa në lartësi ekstreme, ku temperaturat mund të zbresin deri në minus 50 gradë Celsius.
Sipas një reportazhi të publikuar nga Al Jazeera, shumica dërrmuese e më shumë se 2 mijë viktimave të konfliktit nuk janë shkaktuar nga luftimet, por nga kushtet ekstreme të motit. Ortet, stuhitë e borës, temperaturat e ulëta dhe mungesa e oksigjenit kanë vrarë shumë më tepër ushtarë sesa plumbat.
Një nga rastet më të njohura është ai i ushtarit indian Hanamanthappa Koppad, i cili në vitin 2016 u nxor i gjallë nga një ortek që kishte varrosur postën e tij ushtarake. Historia e tij u cilësua si “Mrekullia e Siaçenit”, por ai ndërroi jetë pak ditë më vonë në spital, shkruan A2CNN.
Nga ana tjetër, Pakistani pësoi humbjen më të madhe në vitin 2012, kur një ortek masiv në sektorin Gayari vrau 129 ushtarë dhe 11 kontraktorë civilë.
Megjithëse një armëpushim është në fuqi që prej vitit 2003 dhe prej më shumë se dy dekadash nuk është raportuar asnjë ushtar i vrarë nga luftime të drejtpërdrejta në Siaçen, mali vazhdon të marrë jetë njerëzish çdo vit.
Përveç kostos njerëzore, konflikti ka edhe pasoja të mëdha financiare dhe mjedisore. India dhe Pakistani shpenzojnë qindra miliona dollarë çdo vit për të mbajtur trupat në këtë zonë, ndërsa mbetjet ushtarake dhe aktiviteti njerëzor po ndikojnë negativisht në ekosistemin e akullnajës.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shkrirjen e akullnajës, duke ngritur pyetje mbi të ardhmen e një territori për të cilin dy shtetet vazhdojnë të përballen prej 42 vitesh.
(A2 Televizion)